Mjekësi e përgjithshme

nën302020

Kirurgjia bariatrike. Rishikimi nxjerr në dritë sigurinë, efikasitetin dhe përfitimet në rastet e sëmundjeve bashkëshoqëruese

Duke pasur parasysh që procedurat moderne kirurgjikale që synojnë kontrollin e peshës paraqesin prova të forta të efikasitetit dhe sigurisë, të gjithë pacientët me obezitet të rëndë dhe veçanërisht ata me diabet të tipit 2, duhet të informohen për rreziqet dhe përfitimet e operacionit, në krahasim me trajtimin mjekësor. Kështu thonë David Arterburn (Instituti i Kërkimeve Shëndetësore Kaiser Permanente Uashington) dhe grupi i tij i punës, në një përmbledhje të literaturës së botuar në "Jama", duke theksuar se vendimi për operacionin duhet të udhëhiqet kryesisht nga parapëlqimet e pacientit të informuar në mënyrën e duhur.

Megjithëse udhëzimet e Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH) të vitit 1991 në SHBA, e rekomanduan kirurgjinë bariatrike për pacientë me indeks të masës trupore 40 ose më shumë, ose 35 ose më shumë nëse kanë sëmundje të rënda bashkëshoqëruese, ka prova në rritje që kjo qasje mund të jetë e dobishme edhe për pacientët me diabet të tipit 2 dhe indeks të masës trupore 30 deri në 35, nëse hiperglicemia nuk kontrollohet në mënyrën e duhur. "Obeziteti i rëndë dhe sëmundjet e lidhura me të, janë shumë të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, por aktualisht shumë pak pacientë me këto kushte zgjedhin t'i nënshtrohen një operacioni bariatrik. Në mënyrë që pacientët të informohen më mirë, nevojiten përmbledhje të evidencave për përfitimet dhe rreziqet e operacionit bariatrik dhe ne kemi ecur me këtë optikë", thotë Arterburni. Ekspertët raportojnë prova thelbësore mbi faktin që operacioni ka si rezultat përmirësime më të dukshme në rënien në peshë dhe në rezultatet e diabetit të tipit 2 sesa ndërhyrjet jo-kirurgjikale, pavarësisht nga lloji i procedurave të përdorura.

U zbulua gjithashtu se gastrektomia në formë mënge dhe by-passi i stomakut kanë efekte të ngjashme në humbjen e peshës dhe rezultatet e diabetit, si dhe siguri të ngjashme. Sidoqoftë, thonë studiuesit, provat sugjerojnë që gastrektomia në formë mënge shoqërohet me më pak ri-operacione dhe se procedura e by-passit mund të sjellë humbje peshe dhe kontroll të glicemisë për një kohë më të gjatë. Nga pikëpamja e sigurisë, dokumenti raporton të dhëna aktuale, sipas të cilave, shkalla e vdekshmërisë perioperative varion nga 0,03% në 0,2%, gjë që paraqet një përmirësim të dukshëm që nga fillimi i viteve 2000. Sipas ekspertëve, do të jenë të nevojshme studime me përzgjedhje rastësore afatgjata, për të vlerësuar efektin e procedurave bariatrike mbi sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe gjendjet e tjera dhe për të shqyrtuar më mirë performancën e procedurave emergjente.

 

Jama 2020. Doi: 10.1001/jama.2020.12567
https://dx.doi.org/10.1001/jama.2020.12567


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>