Mjekësi e përgjithshme

dhj22019

Kateterët, një burim infeksionesh, që shpesh neglizhohet...

Megjithëse pajisjet e përhershme, siç janë kateterët, shkaktojnë rreth 25% të infeksioneve spitalore, përpjekjet për të ulur si përdorimin, ashtu edhe keqpërdorimin e tyre, nuk janë aq të suksesshme sa dëshirojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor, sipas një studimi të Universitetit të Miçiganit, të botuar në "American Journal of Critical Care".

"Shumica e vështirësive që i përkasin përdorimit të kateterit vijnë nga mungesa e komunikimit midis mjekut dhe infermierit", thotë Milisa Manojlovich (Shkolla e Infermierisë U-M), duke theksuar se edhe asistenca e zakonshme në drejtim të menaxhimit të kateterit mund të shkaktojë probleme serioze, nëse mungon komunikimi mes profesionistëve të shëndetit.
Për të sqaruar çështjen, studiuesit intervistuan një grup infermierësh dhe mjekësh mbi vështirësitë e monitorimit dhe komunikimit në lidhje me kateterët e përhershëm. Të gjithë thanë se mungesa e komunikimit ishte përgjegjësi kryesor i vonesës në heqjen e kateterëve që nuk ishin më të nevojshëm. "Komunikimi ndërpritet për shkaqe të ndryshme dhe në shumë nivele: transferimi i dobët i informacionit midis mjekëve dhe infermierëve, ndryshimet hierarkike ose mospajtimi i rrjedhave të punës që i pengojnë infermierët të jenë të pranishëm gjatë turneve të përditshme, kur shqyrtohen terapitë e pacientëve. Kateterët shpesh mbeten të fshehur nën mbulesa, kështu që mjekët nuk e dinë se kush po i përdor ata, veçanërisht nëse infermierja nuk është e pranishme për t'ua treguar", shkruajnë autorët, duke kujtuar se shpesh kateterët mbeten për një kohë të gjatë, gjë që rrit rrezikun e infeksioneve, ose vendosen edhe pse nuk janë të nevojshëm.

"Vlerësohet se 60-90% e pacientëve në terapi intensive dhe 10-30% e pacientëve të shtruar në spital kanë katetera urinarë. Por, çdo objekt i huaj në trup mbart rrezikun e infeksionit dhe një kateter mund të shndërrohet për mikrobet spitalore rruga për t'u futur në qarkullim, duke shkaktuar septikemi", thotë studiuesja. Sipas autorëve, edhe kartelat klinike elektronike mjekësore mund të shkaktojnë konfuzion: nganjëherë infermierët dhe mjekët kanë informacione të ndryshme, ose mbase ka një vonesë në përditësimin e grafikëve, ose mund të shkaktohen keqkuptime nga prania e njëkohshme e dosjeve fizike dhe atyre kompjuterike.
"Dhe, për ta mbyllur, ndonjëherë janë vetë pacientët ose familjarët që kërkojnë kateterin, por duhet t'u shpjegohet atyre se procedura sjell jo vetëm një rrezik infeksioni, por edhe mundësinë e traumës lokale ose hemorragjive", përfundon Manojlovich-i.


Am J Crit Care. 2019. doi: 10.4037/ajcc2019372
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31263012


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>