Mjekësi e përgjithshme

mar272020

Coronavirusi. Ja, cilat janë vështirësitë e menaxhimit të pacientëve me kancer

A po ndikon përhapja e coronavirusit të ri në mënyrën e trajtimit të pacientëve me kancer? Një artikull i botuar në "Lancet Oncology", i nënshkruar nga Talha Khan Burki, kërkon të hedhë dritë mbi këtë çështje, veçanërisht në Britaninë e Madhe.
Ashtu si të gjithë individët me imunitet të komprometuar, edhe individët me kancer të gjakut ose të palcës, ose që i nënshtrohen një trajtimi aktiv me kimioterapi ose radioterapi, kanë një rrezik të shtuar nga sëmundja e rëndë Covid-19.
"Me sa dimë, politika në Britaninë e Madhe mbetet që trajtimi i pacientëve me kancer të bëhet ashtu siç do të bënim në rrethana normale", shpjegon Alan Boyd, nga Akademia e Kolegjeve Mbretërore Mjekësore në Londër.

Në Angli, Skoci dhe Uells, janë shtyrë ndërhyrjet kirurgjike me zgjedhje, megjithatë kjo nuk duket se prek pacientët me kancer. Sidoqoftë, ajo që po shkakton epidemia është sigurisht një vonesë ose një pauzë në disa studime klinike, për të cilat vendimet merren rast pas rasti. Agjencia rregullatore e barnave dhe produkteve shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar ka botuar një udhëzues mbi menaxhimin e studimeve gjatë pandemisë, në të cilin rekomandon, për shembull, të dërgohet medikamenti i studimit në shtëpitë e pacientëve, për të shmangur udhëtimet e panevojshme. Duket gjithashtu se për momentin nuk ka mungesë të barnave antikancerogjene. Një fushë në të cilën përkundrazi hasen probleme është ajo e dhurimit dhe transportimit të qelizave staminale.

DKMS, bashkësia e organizatave bamirëse, të pranishme në shtatë vende dhe që siguron rreth 40% të donacioneve të qelizave staminale në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se po kalon një periudhë të vështirë. "Po përjetojmë të gjitha llojet e vështirësive në drejtim të qasjes në vende dhe organizimit të korrierëve për qelizat staminale", thotë Jonathan Pearce, CEO i DKMS Britani e Madhe. Mes të tjerash, qelizat staminale duhet të transplantohen brenda 72 orëve nga dhurimi dhe vonesat e shkaktuara nga problemet e kufizuara të qarkullimit mund të rrezikojnë terapitë, kështu që DKMS-ja po eksploron mundësinë e transportimit të qelizave staminale, përmes fluturimeve për mallrat.
Së fundi, vetë epidemia ndërlikon përpjekjet për të marrë donacione, pasi donatorët duhet të shkojnë fizikisht në spital duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe do të jenë të nevojshëm donatorët rezervë, në rast se ata të caktuar, janë infektuar me Sars-CoV-2.

 

Lancet Oncology 2020. Doi: 10.1016/S1470-2045(20)30201-1
https://doi.org/10.1016/S1470-2045(20)30201-1 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>