Mjekësi e përgjithshme

sht142020

Artroza e gjurit. Fokus në llojet e ndryshme të dhimbjes së perceptuar

Një studim i botuar në "Arthritis Care and Research" ka identifikuar për herë të parë një mekanizëm të mundshëm në sistemin nervor që mund të qëndrojë në themel të arsyes pse njerëzit me artrozë të gjurit, përjetojnë lloje të ndryshme dhimbjeje. "Gjetjet tona mbështesin rëndësinë klinike të mekanizmave neurobiologjikë që ndikojnë në përvojën e dhimbjes prej artrozës së gjurit, e cila përfshin jo vetëm ashpërsinë e dhimbjes, por edhe faktin nëse dhimbja është e ndërprerë ose e vazhdueshme dhe nëse dhimbja është e paparashikueshme", thotë Lisa Carlesso, nga Universiteti McMaster në Hamilton, Kanada, autorja kryesore e punimit.

Artroza shkakton dhimbje, kufizime funksionale dhe paaftësi substanciale te pacientët dhe përvoja e dhimbjes te njerëzit me artrozë të gjurit, ndryshon me kalimin e kohës. Njerëzit fillimisht përjetojnë kryesisht dhimbje të lidhura me ngarkesën, për shembull kur vrapojnë ose ngjisin shkallët. Me kalimin e kohës, dhimbja bëhet më e vazhdueshme dhe mund të shfaqet në mënyrë të paparashikueshme. Për të kuptuar më mirë pse ndodhin këto ndryshime, studiuesit shqyrtuan të dhënat e përvojës së dhimbjes së 2,794 të moshuarve me artrozë të gjurit ose në rrezik për sëmundjen (pjesëmarrës në Multicenter Osteoarthritis Study).

Analiza e tyre tregoi se njerëzit me ndjeshmëri më të madhe ndaj dhimbjes kishin më shumë të ngjarë të vuanin nga dhimbje të vazhdueshme dhe të paparashikueshme, sesa vetëm nga dhimbje me ndërprerje. "Duke kuptuar këta mekanizma dhe duke zhvilluar trajtime të synuara për ta, ne mund të sigurojmë mundësi më të mira menaxhimi për miliona njerëz me artrozë në të gjithë botën", shpjegojnë studiuesit. Për shembull, nëse një pacient ka ndjeshmëri ndaj dhimbjes, mund të jenë të dobishme terapitë që synojnë ndryshimin e rrugëve sinjalizuese të sistemit nervor. Kjo do të përmirësonte qasjen aktuale terapeutike, ku secili pacient fillon me të njëjtin trajtim dhe pastaj kalon në diçka tjetër, nëse linja e parë nuk funksionon.


Arthritis Care Res 2020. Doi: 10.1002/ACR.24437
http://dx.doi.org/10.1002/ACR.24437


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>