Mjekësi e përgjithshme

qer222021

Terapia e trefishtë për astmën, redukton përkeqësimet. Studimi në "Jama"

Sipas një shqyrtimi të literaturës së botuar në "Jama", terapia e trefishtë, apo shtimi i një bari të tretë plus inhalatorit me dy barna, që përdoren zakonisht në trajtimin e astmës, mund të reduktojë riaktivizimet e sëmundjes dhe të përmirësojë kontrollin te fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit me forma mesatare deri të rënda të sëmundjes. "Rezultatet tona ofrojnë prova të qarta, me cilësi të lartë mbi përfitimet dhe rreziqet e terapisë së trefishtë që do të përmirësojnë menaxhimin e astmës dhe mund të mbështesin një rishikim të udhëzimeve aktuale mbi astmën", thotë Derek Chu (Universiteti McMaster dhe Instituti i Kërkimeve St. Joe's Hamilton, Kanada), autori kryesor i punimit.

Shqyrtimi analizoi të dhënat e 20 studimeve klinike të kontrolluara, me përzgjedhje rastësore, duke përfshirë një numër të përgjithshëm prej gati 12,000 pacientësh. Inhalatorët me barna të dyfishta që përdoren për të trajtuar astmën, zakonisht përmbajnë një kortikosteroid inhalator (ICS) për të reduktuar inflamacionin dhe një agonist beta2 me veprim të gjatë (LABA), i cili vepron si një bronkodilatator. Ekspertët vunë në dukje se përfshirja e një medikamenti të tretë, një antagonist muskarinik me veprim të gjatë (LAMA), në terapinë e kombinuar reduktoi përkeqësimet e astmës së rëndë dhe përmirësoi pak kontrollin e astmës, pa një shtim të ngjarjeve anësore. LAMA-t për inhalim, janë tashmë në dispozicion në inhalatorët që përmbajnë edhe një ICS dhe LABA. Sipas studimit, të dyja qasjet për administrimin e medikamentit të tretë, funksionojnë në mënyrë të ngjashme.

"Më parë, përfitimet dhe dëmet e shtimit të një antagonisti LAMA në terapinë ICS-LABA ishin të paqarta dhe bazoheshin vetëm në 1,300 pacientë, kryesisht të rritur", shpjegojnë ekspertët. Sipas studiuesve, duke arritur kontrollin optimal të astmës dhe duke reduktuar normat e riakutizimeve të sëmundjes përmes terapisë shtesë me LAMA-n, pacientët mund të jenë në gjendje të shmangin trajtime të tjera që përmbajnë një rrezik më të lartë të ngjarjeve anësore, të tilla si kortikosteroidet orale, ose terapitë më të shtrenjta, siç janë biologjikët.

 

JAMA 2021. Doi: 10.1001/jama.2021.7872
http://doi.org/10.1001/jama.2021.7872


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>