Mjekësi e përgjithshme

qer142022

Sëmundja e Alzheimerit. Një analizë gjaku mund të përmirësojë diagnostikimin e hershëm

Sipas një studimi të botuar në Cell Metabolism dhe të nënshkruar nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Diego, një analizë gjaku mund të identifikojë rrezikun e zhvillimit të hershëm të sëmundjes së Alzheimerit, duke rritur shanset për të vonuar ose lehtësuar simptomat, nëpërmjet ndjekjes së një mënyre jetese të shëndetshme që përfshin ushtrimet fizike, një dietë me pak yndyrë dhe më shumë angazhim social.

"Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se suplementet që përmbajnë serinë, të prodhuara nga gjeni PHGDH, mund të ndihmojnë në luftimin e Alzheimerit", thotë bashkautori Sheng Zhong, i cili së bashku me kolegët e tij arritën të zbulojnë një shprehje më të madhe të PHGDH-së tek individët me Alzheimer, gjë që mund të ndikojë në prodhim të tepërt të serinës në indet e trurit. "Përveçse japin mundësinë e parashikimit të hershëm të sëmundjes, rezultatet tona sugjerojnë se plotësimi dietik me serinë, aminoacidi i prodhuar nga gjeni PHGDH, nuk do të kishte asnjë përfitim duke pasur parasysh nivelet e tij tashmë të ngritura në tru", shkruajnë autorët. Dy vjet më parë, Zhongu dhe kolegët e tij kishin hipotezuar për metabolizmin e qelizave, se PHGDH-ja mund të ishte një bioshënjues për Alzheimerin. Ishin këto rezultatet që nxitën kërkime të mëtejshme. Kështu, autorët analizuan informacionin gjenetik të nxjerrë nga indet e trurit pas vdekjes së individëve të moshuar dhe gjetën një rritje të konsiderueshme të enzimës PHGDH si te pacientët me sëmundjen e Alzheimerit, ashtu edhe tek individët pa dëmtim konjitiv rreth dy vjet përpara diagnostikimit të sëmundjes.

Por jo vetëm: njëlloj si në modelet e minjve të testuar në laborator, nivelet e shprehjes së PHGDH-së janë më të larta, sa më e avancuar të jetë sëmundja. "Fakti që niveli i shprehjes së këtij gjeni lidhet drejtpërdrejt me aftësitë konjitive të një personi dhe ashpërsinë e sëmundjes, është një rezultat disi stimulues. Të jesh në gjendje të përcaktosh sasinë e këtyre dy metrikave komplekse me një masë të vetme molekulare mund ta bëjë shumë më të lehtë diagnostikimin dhe monitorimin e përparimit të Alzheimerit", përfundon Zhongu.

 

Cell Metabolism 2022. Doi: 10.1016/j.cmet.2022.02.008
https://doi.org/10.1016/j.cmet.2022.02.008


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>