sht142016
Intervistë me drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Barnave, Alma Skënderaj, mbi regjistrimin e pajisjeve mjekësore
Cili është sektori në AKPBM që do kryejë regjistrimin e pajisjeve mjekësore?
Në vazhdën e reformave të marra në sektorin e shëndetësisë, një prej ndryshimeve themelore të saj ishte edhe krijimi i një institucioni i cili të kryente regjistrimin e pajisjeve mjekësore, procedurë e pa kryer më parë.
Me ndryshimet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku Qendra Kombëtare e Barnave u kthye në Agjenci Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ku u bë i mundur edhe krijimi i një sektori të veçantë i cili ka në përgjegjësi të tij regjistrimin e Pajisjeve mjekësore dhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Pajisjeve Mjekësore në Republikën e Shqipërisë.
Sa janë personat që e përbejnë këtë sektor?
Sektori i Pajisjeve Mjekësore është i përbërë nga shefi sektorit si dhe katër specialistë më profesion mjek, inxhinier, stomatolog dhe farmacistë. Kemi profesionistët e duhur në këtë sektor, të cilët do të ndjekin, identifikojnë, regjistrojnë dhe do të inspektojnë Pajisjet Mjekësore pranë subjekteve importuese.
A është ngritur dhe një sektor inspektimi apostafat për inspektimin e pajisjeve mjekësore?
Siç e thashë edhe pak më lart, Sektori i Pajisjeve Mjekësore ka edhe përgjegjësinë për inspektimin e pajisjeve mjekësore që do të regjistrohen në vendin tonë.
Do pajisen me një pulle dalluese pajisjet mjekësore që do të regjistrohen pranë AKPBM-së?
Ashtu sikurse e parashikon edhe ligji nr. 89/2014 "Për Pajisjet Mjekësore", por edhe Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë "Mbi procedurat dhe rregullat për regjistrimin e pajisjeve mjekësore, ndryshimet dhe anulimin e regjistrimit të tyre", të gjitha pajisjet të cilat do të regjistrohen pranë institucionit tonë do të pajisen me një certifikatë brenda 30 ditëve nga data e marrjes së aplikimit.
Publikimi i Regjistrit të Pajisjeve Mjekësore do të bëhet online në faqen zyrtare të institucionit tonë në kohë reale dhe gjithë subjektet e interesuara, përfaqësitë, mjekë, farmacistë, stomatologë, inxhinierë, subjekte prodhuese do të gjejnë çdo lloj informacioni të kërkuar.
A ka një ndarje dhe klasifikim AKPBM-ja të pajisjeve mjekësore?
Ashtu sikurse e parashikon edhe ligji, pajisjet mjekësore ndahen në klasat I, IIa, IIb dhe III. Secila nga këto klasa ka të përcaktuar grup-pajisjet, ndarjet e të cilave do të kryhen që në momentin e plotësimit të formularit nga subjektet private.
Qytetarët e thjeshtë si mund ta dallojnë një pajisje mjekësore dhe për më tepër si mund ta kuptojnë që është e regjistruar pranë AKPBM-së?
Për herë të parë pas 25 vitesh, pas liberalizimit të tregut mjekësor, me regjistrimin e pajisjeve mjekësore pranë AKBPM-së qytetarët shqiptarë janë më të sigurt, pasi të gjitha pajisjet mjekësore që do të qarkullojnë në vendin tonë janë të sigurta, të certifikuara me markë CE, ashtu sikurse e parashikojnë edhe ligjet e Bashkimit Evropian.
Përgatiti: Alma Demriaj