News

sht222017

Intervistë me Dr. Myftar Torba: Mjekët e traumës duhet t'i referohen eksperiencës amerikane. Libri që fitoi çmimin e parë në kirurgji për 2016-n një referencë shumë e mirë për ta

Një prej botimeve më të komentuara të tre prej profesorëve më në zë të kirurgjisë së traumës në Shtetet e Bashkuara, Demetrios Demetriades, Kenji Inaba dhe George Velmahos, është bërë pjesë fondit të titujve mjekësore të librarisë LIFE. Është fjala për Atlasin e Teknikave Kirurgjikale në Traumë, i cili i botuar në vende të ndryshme është kthyer në një referencë të rëndësishme për ata që kanë zgjedhur profilin më të vështirë të mjekësisë, kirurgjinë.
Atlasi ofron një ekspozim të qartë dhe realist të anatomisë dhe teknikave kirurgjikale me më shumë se 600  fotografi intra-operatore tё kufomave njerëzore, të cilat e zhytin lexuesin në thellësinë e kuptimit dhe të analizës me qëllimin e patjetërsueshëm të shpëtimit të jetës. Njohuritë e autorёve tё grumbulluara nё dekada nga përvoja kolektive në disa nga qendrat më të mëdha të traumës në botë, e bëjnë librin të paçmueshëm për kirurgët si në procedurat e zakonshme edhe në ato më të rralla. Në gjuhën shqipe vjen i redaktuar nga dy kirurgë po aq të njohur në Shqipëri, Prof. Dr. Arben Gjata dhe Dr.Myftar Torba. Me këtë të fundit kemi diskutuar mbi librin për të kuptuar pak më shumë mbi teknikat kirurgjikale fushën e traumës dhe sa të aplikueshme janë ato në vendin tonë.

1) Dr. Torba në Konferencën e 3-të Vjetore të Traumës të zhvilluar këtë muaj, promovuat librin "Atlas i Teknikave Kirurgjikale në Traumë", të cilin e keni sjellë në shqip bashkë me Prof. Dr. Arben Gjatën. Sa i rëndësishëm është ky libër nëse flasim për praktikën në sallën e operacionit?

Është absolutisht shumë i rëndësishëm si për konceptet bazë dhe ato të avancuara në kirurgjinë e traumës. Është një libër që i ka munguar kirurgjisë së traumës. 

2) Na tregoni diçka më shumë për metodat dhe instrumentet kirurgjikale që përshkruhen aty? A përbën ndonjëra nga këto metoda risi në kontekstin e ndërhyrjeve kirurgjikale në traumë?

Në këtë atlas përshkruhen në mënyrë vizuale dhe hap pas hapi anatomia kirurgjikale, ekspozimi kirurgjikal, teknikat kirurgjikale nga më të thjeshtat deri te më të ndërlikuarat dhe sigurisht instrumentet speciale për teknika të veçanta.
Kurse në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes, a përbën ndonjëra nga këto metoda risi në kontekstin e ndërhyrjeve kirurgjikale në traumë? E them me bindje që po, përbën risi. Sepse aty përshkruhen koncepte që lidhen kryesisht me traumën si damage control surgery, hipertensioni intra-abdominal, damage control resuscitation etj., sepse aty jepen këshilla dhe qëndrime për vështirësi të papritura të cilat nuk janë përshkruar kurrë më parë në shqip.


3) Sipas jush, sa të mundur e kanë kirurgët shqiptarë të aplikojnë procedurat e përfshira në libër duke pasur parasysh përgatitjen por edhe pajisjet e aparaturat që kanë në dispozicion? A është i thjeshtë ky libër për t'u përvetësuar nga specializantët e kirurgjisë?

Libri të jep njohuri që duhet t'i ketë çdo mjek, sipas specialitetit, që merret me kirurgjinë e traumës. Pastaj aplikimi i këtyre njohurive dhe procedurave kërkon trajnime, kualifikime dhe rifreskime jo vetëm për studentët dhe specilaizantët, por për të gjithë personelin mjekësor që merret me traumën.
Është absolutisht i mundshëm përvetësimi i këtyre njohurive nga ky personel.
Për t'u aplikuar këto procedura dhe koncepte nuk janë të nevojshme pajisje dhe aparatura shtesë, veç atyre që duhet të ketë, sipas standardeve, një qendër shëndetësore urgjence apo spitalore.

4) Njerëzit pak i kuptojnë vështirësitë teknike dhe njerëzore me të cilat përballen mjekët. A do të ndihmojë ky botim në shmangien e gabimeve nga ana e kirurgëve?

Sigurisht që është një mundësi shumë e mirë për mjekët që merren me traumën, t'i referohen eksperiencës amerikane nga qendrat më të mëdha të traumës në botë, t'i referohen një ndër autorëve më të publikuar në fushën e traumës, t'i referohen librit i cili fitoi çmimin e parë në kirurgji 2016 nga Shoqata Mjekësore Britanike. Dhe ky libër tashmë gjendet, për lexuesin e interesuar, në shqip.

5) Si është pritur libri nga kolegët të cilët kanë pasur mundësi ta shfletojnë?

Ndjesë për mungesën e modestisë, por si mund të pritet një botim i Cambridge University Press i vitit 2015, si mund të pritet libri i njërit prej autorëve më të publikuar në fushën e traumës, si mund të pritet libri i cili fitoi çmimin e parë në kirurgji 2016 nga Shoqata Mjekësore Britanike?!
Sigurisht, është pritur shumë mirë. Jemi të inkurajuar të vazhdojmë të sjellim në shqip botime të këtij niveli.

6) Përtej sakrificës fizike, mendore dhe emocionale me të cilën përballen kirurgët në të gjithë botën, si e vlerësoni gjendjen e kirurgjisë sot në vend?

Mjekësia si dhe shkencat e tjera është në zhvillim, është dinamike. Sigurisht që janë bërë hapa përpara, por ka akoma për të bërë. Ka nevojë për përditësim kurrikulash, për trajnime, kualifikimi, për certifikim në vazhdimësi të burimeve njerëzore dhe atyre spitalore, për matje të performancës, dhe për ndryshim të mënyrës së administrimit dhe financimit. Jemi në ekonomi tregu dhe çmimin e punës duhet ta vendosë tregu dhe jo qeveria. Ju dëgjoni përditë në media që ka mungesë mjekësh dhe aq më shumë specialistesh në disa spitale, edhe në Tiranë dhe kjo ndodh për shkak të rrogave të ulëta që u ofrohen në spitale shtetërore. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që të ankohen spitalet private për mungesë specialistesh. Është koha për autonomi spitalore, nismë kjo e shprehur nga Kryeministri. Autonomi, konkurrencë dhe kontroll të rreptë të standardeve shëndetësore nga agjencitë shtetërore.

Atlas i Teknikave Kirurgjikale në Traumë
Autorët:
Demetrios Demetriades
MD, PhD, FACS është Profesor i Kirurgjisë në Universitetin e Southern California dhe Drejtor i Traumës, Kirurgjisë së Urgjencës dhe Kujdesit Kirurgjikal Kritik në Los Angeles, California, USA.
Kenji Inaba MD, MSc, FACS, FRCSC është Profesor i Asociuar i Kirurgjisë dhe Mjekësisë së Urgjencës dhe Drejtor i Programit të rifreskimit dhe Specializimit të Kirurgjisë në Universitetin e Southern California, Los Angeles, California, USA.
George Velmahos MD, PhD, FACS është Profesor i Kirurgjisë në Harvard Medical School dhe Shef i Traumës, Kirurgjisë së Urgjencës dhe Kujdesit Kirurgjikal Kritik në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts, Boston, Massachusetts, USA.

Redaktuar nё shqip nga:
Arben Gjata
, MD, PhD
Profesor i Kirurgjisё nё Universitetin e Mjekёsisё, Tiranё
dhe Rektor i Universitetit tё Mjekёsisё, Tiranё, Shqipёri
Myftar Torba, MD, PhD
President i Shoqatёs Shqiptare tё Traumёs
Kirurg i Pёrgjithshёm
Spitali Universitar i Traumёs, Tiranё, Shqipёri

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>