nën302017
OBSH: Në vendet në zhvillim, 1 në 10 ilaçe janë false ose të skaduara
Një në dhjetë ilaçe që qarkullojnë në vendet në zhvillim, është nën standardet e cilësisë ose i falsifikuar dhe paraqet rreziqe të mëdha për shëndetin publik. Këtë gjë e konfirmon Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në raportin e parë për këtë fenomen, që është bazuar në vlerësimet e bëra duke u bazuar në më shumë se 1.500 sinjalizime të ardhura nga sektorët e mbikëqyrjes dhe nga sistemi i monitorimit të organizatës që nga viti 2013, si dhe nga rreth 100 studime mbi një total prej 48 mijë kampionesh.
Sipas rezultateve, në 10,5% të rasteve, ilaçet janë të paefektshme, ose sepse janë produkte të shpërndara pa ndjekur normat që garantojnë cilësinë, ose sepse janë të falsifikuara qëllimisht. Ky fenomen prek mbi të gjitha barnat antimalarie dhe antibiotikët, që në tërësi, përfaqësojnë 64,5% të totalit të ilaçeve të falsifikuara. 42% e sinjalizimeve vjen nga Afrika subsahariane. "Shumë nga këto produkte, siç janë antibiotikët, janë vitalë për mbijetesën dhe mirëqenien, konfirmon Mariangela Simao e OBSH-së. Barnat e skaduara apo të falsifikuara jo vetëm që kanë një ndikim mbi pacientët dhe familjet e tyre, por shtojnë edhe bakteret rezistente".
Në bazë të shifrave, Universiteti i Edimburgut ka dalë në përfundimin se 72.000-169.000 fëmijë vdesin çdo vit për shkak të një pneumonie të kuruar me barna që u takojnë këtyre kategorive, ndërsa sipas Shkollës së Higjienës në Londër, 64.000-158.000 vdekje për shkak të malaries, do të mund të ishin shmangur.
Barnat e falsifikuara tentojnë të përqendrohen në zonat në të cilat rregullimi me ligj dhe qeverisja e papërshtatshme rëndohen nga praktika joetike nga ana e grosistëve, shpërndarësve, shitësve dhe operatorëve shëndetësorë.
Një përqindje e lartë e rasteve të sinjalizuara nga OBSH-ja vihen re në vende me hyrje të kufizuar të produkteve mjekësore. Edhe atje ku janë të shpërndara modelet e blerjes nëpërmjet internetit nëpër farmacitë online, produktet false apo të skaduara mund t'i shmangen rregullisht mbikëqyrjes. Kjo, më së shumti, vihet re në vendet me të ardhura të larta.
Është e nevojshme të bëhen rishtazi kërkime për të përcaktuar sasinë dhe ndikimin e shitjes së produkteve mjekësore të skaduara ose të falsifikuara mbi shëndetin publik.