News

dhj62017

Ikja e mjekëve nga urgjenca e QSUT-së. Edmond Zaimi: Asnjë mjek nuk është larguar

tags: Mjekë, QSUT

Zoti Zaimi, është krijuar një situatë e pazakontë në Shërbimin e Urgjencës. Përse?

Mua më duket ditë e zakonshme. Probleme të mbingarkesës që ne i kemi të përditshme, që fatkeqësisht kanë ardhur duke u shtuar nga periudha në periudhë. Janë probleme që ne i ngremë për zgjidhje brenda institucionit tonë, pra një letër që është menduar nga mjekët që t'i drejtohet institucioneve dhe nuk e di se nga e morët vesh ju media dhe u bë kaq publike, por këto janë problemet tona të zakonshme, që ne i kemi diskutuar përditë me njëri-tjetrin dhe nuk kemi mundur t'i japim zgjidhje brenda për brenda shërbimit tonë. Ndaj vendosëm të kërkonim ndihmën e drejtorisë dhe ndoshta është menduar që të ngrihet dhe opinioni përtej drejtorisë tonë për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi.

Cili është problemi?

Mbingarkesa në punë është një problem ndërkombëtar, nuk është thjesht në spitalin tonë. Në shumicën e spitaleve, jo vetëm në metropole por edhe në qytete në të gjithë botën, ky është bërë një problem i zakonshëm, prandaj dhe kërkohen zgjidhje nga menaxherët e sistemit shëndetësor. Këtë kanë kërkuar edhe mjekët tanë duke u nisur nga ngarkesa në punë, nga shfrytëzimi i papërshtatshëm ndonjëherë i shërbimit tonë. Persona që kanë nevojë të ndiqen në sistemin parësor apo dytësor shfrytëzojnë institucionin tonë.

Por në fakt a e kanë paralajmëruar mjekët ikjen nga Shërbimi i Urgjencës?

Mjekët kërkojnë rregullimin e kushteve, që ne të punojmë në kushte më të mira, që të ulet gabimi në punë, që të rritet cilësia e shërbimit ndaj pacientëve. Aktualisht siç e shikoni ju, ne jemi në punë. Të gjithë mjekët janë në punë si në një ditë të zakonshme. Shërbimi i Urgjencës këtë ka. Por për mendimin tim duhet të ndërgjegjësohet edhe popullata. Sepse këtu tek ne çfarë ndodh? Popullata e ka të vështirë atë pritjen. Popullata vjen në urgjencë ndonjëherë pa pasur edhe probleme urgjence dhe refuzon të qëndrojë të presë. Koha e pritjes është një ndër elementet bazë në të gjithë shërbimet e urgjencës, në të gjitha vendet e botës.

Si mund të zgjidhet kjo nga drejtoria?

Një zgjidhje mund të jetë ndarja e punës me shërbimet e tjera. Duhet ndërhyrja e Ministrisë së Shëndetësisë për t'i shpërndarë këta të sëmurë, shumica e të cilëve nuk kanë nevojë të qëndrojnë në spital terciar, por mund të qëndrojnë në spitalet e rretheve. Dhe për këto po diskutohet. Ministria e Shëndetësisë është e angazhuar dhe po diskutohet për një zgjidhje.


 

Alma Demiraj
 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>