News

dhj122017

Pas alarmit për dorëheqjen e mjekëve të Urgjencës, flet për Doktor33, një nga firmëtarët e saj, Dr. Eqerem Hasanaj

- Doktor, keni dhënë dorëheqjen?
- Ky është një informacion shumë i gënjeshtërt, shumë falsifikues, shumë mashtrues. Pastë faqen "e bardhë", ai që e ka nisur këtë informacion. Ne e kemi të shkruar të zezën në të bardhë. Kemi komunikuar me atë letër vetëm me institucionet përkatëse. Ne nuk kemi bërë peticion me rreziku qeveri, por kemi bërë peticion me rreziku veten tonë, sepse kemi arsyet tona të brendshme, të cilat i kemi shtruar në ato pika, që shpresoj t'i zgjidhë drejtoria, ministria, kryeministri dhe cilado instancë së cilës i përkasim.
- Pra, është e vërtetë që ju keni kërkuar të tërhiqeni?
- Jo. Jo. Ne e kemi shprehur. Ai që e ka e fotografuar dhe e ka nisur, ai ka bërë mashtrimin e madh. Ne kemi thënë: "Në qoftë se ju nuk na plotësoni këto kushte që janë më elementaret, për të punuar mirë, për të mos rritur marzhën e gabimit, ne jemi gati të sakrifikojmë veten, të largohemi pas 30 ditësh". Sepse, ka rregulla. Është shkelje e ligjit me e braktis vendin e punës mjeku i urgjencës. Ne nuk kemi dhënë dorëheqjen. Ju e keni letrën të shkruar. Lexojeni, publikojeni. Jo. Ne u kemi thënë: "Po ju japim 30 ditë kohë të na zgjidhni këto probleme kaq të ndjeshme në Urgjencën e Republikës së Shqipërisë".
- Cilat probleme, konkretisht?
- Akumulimin e të gjithë këtyre njerëzve që vijnë nga të gjitha rrethet e republikës dhe që janë të hotelizuar këtu, se nuk shkojnë të marrin shërbim nëpër pavijonet përkatëse.
- Keni mbingarkesë? Sa vetë vizitoni në ditë?
- Shumë. Numri është i shkruar, arrin 250 në ditë. Në urgjencë qëndrojnë pacientë të sëmurë edhe 10 ditë me radhë e nuk shkojnë në pavijone se nuk ka vende. Dhe për këtë, ne mendojmë të diskutojmë me drejtuesit tanë, qoftë të institucionit, qoftë edhe të ministrisë, që t'i japin një zgjidhje. Por, nuk kemi dhënë dorëheqje. Lexojeni, e keni të shkruar. Po ta lexoni mirë e me kujdes do të shikoni se kjo puna e dorëheqjes është një mashtrim. Në letër thuhet se, sipas kodit të punës, pas 30 ditësh ne tërhiqemi. Keni emrin dhe firmën aty.
Për të mos rritur marzhën e gabimit e për të mos shkaktuar viktima, ne menduam ta shtrojmë në këtë formë. Kam 30 vjet kardiolog dhe nuk dua të dal faqezi tani, pas një eksperience të gjatë. Të gabojmë tani në fund?  Përse? Për disa gjëra që mund të rregullohen shumë mirë? Menduam të sakrifikojmë veten. Nga kjo nuk preket as qeveri, as ministri, as drejtori. Largohemi ne. Hapim rrugë. Le të sjellin pesëmbëdhjetëshen më të mirë që ka Republika në urgjencën e QSUT-së, në qoftë se e bën punën më mirë sesa ne. Ndërkohë, as ministria dhe as drejtoria nuk ishin në dijeni të kësaj letre që u publikua në media. Letra nuk kishte mbërritur. As ministria, as drejtoria dhe askurrkush nuk e ka këtë letër. Drejtoria është në dijeni të problemeve tona, por nuk ka mundësi ta zgjidhë e vetme. Atëherë menduam ta çojmë përtej, drejt disa institucioneve më të larta, më kompetente dhe më administrative.
- Po e përdor dikush për politikë letrën tuaj?
- Sigurisht. Sigurisht. As dua të jap emër fare se nuk më intereson. Ai person që ka bërë fotografinë, e di vetë se kush është. Ne nuk kemi dhënë dorëheqjen. Ne jemi në krye të punës.
- Është koleg i juaji, ky që po e përdor politikisht letrën tuaj?
- Pse ta komentoj?  Pse, si mendoni ju?  Erdhi nga jashtë?  Sigurisht që është koleg i yni.
- Kush ishte nismëtari i kësaj letre?
- Jemi të gjithë. Kështu e menduam të gjithë.

Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>