dhj152017
Strategjia e re e shëndetësisë. Tritan Shehu: Absurde dhe regresive
Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë prezantoi strategjinë e re të sistemit shëndetësor. Në këtë strategji, theksohej investimi në këtë sektor dhe pacienti në fokus. Ndër të tjera, përmendej edhe shndërrimi i spitaleve bashkiake në qendra shëndetësore e urgjence si dhe patronazhimi i spitaleve rajonale nga ato të shërbimeve terciare.
Por, kjo është konsideruar e gabuar nga ish-Ministri i Shëndetësisë, Prof. Dr. Tritan Shehu i cili ka qenë më kritik se kurrë ndaj kësaj strategjie.
"Ishte një program absurd edhe ky i sotmi, më regresiv edhe se klishetë e dikurshme komuniste për sistemin shëndetësor.
Një program ky, ku lexohet varfëria e thellë e sistemit, numri i mjekëve si specie në zhdukje, mungesa e shërbimeve etj., pa asnjë strategji reale zgjidhjeje.
Ajo qe lexohet qartë është se në Shqipëri do të ngelen vetëm 11 spitale në rrethe; të tjerat do të kthehen në "qendra shëndetësore e urgjence"!
Spitale të rëndësishme si ai i Përmetit, Tepelenës, Lushnjës, Pogradecit, Sarandës etj., nuk do të funksionojnë më si të tillë!
"Zgjidhja" do të jetë mbyllja e spitaleve, ulja drastike e shtretërve, përqendrimi asfiksues i shërbimit që mbetet në pak qendra, duke e larguar atë nga qytetarët!
Jo vetëm që nuk do të ketë më decentralizim e "spital ndërmarrjeje", por do të vendoset "regjimi i vjetër i patronazhit" mbi ta, si një reminishencë e dikurshme kjo."
Por, për ish-ministrin Shehu, kjo do të shkatërrojë edhe spitalet e shërbimit terciar në Tiranë të cilët në ditë të caktuara do të duhet të lënë spitalin për të shkuar në rrethe, gjë të cilën ai e krahason me "stazhin komunist".
Tritan Shehu në një status në llogarinë e tij në Facebook paralajmëron shqiptarët se ditë më të vështira po vijnë në shëndetësinë shqiptare.