News

shk162018

Spital i ri për mjekësinë e përgjithshme. Del vendimi për shpronësimin e pronarëve.

Brenda ambienteve të qendrës më të madhe shëndetësore në Shqipëri, do të ndërtohet një spital i ri, një godinë 8-katëshe që do të shërbejë për mjekësinë e përgjithshme. Në mbledhjen e fundit të qeverisë, këtë javë, iu hap drita jeshile këtij projekti. Duke qenë se toka ku do të ndërtohet spitali i ri është tokë me pronarë, para se të nisë ndërtimi i godinës, do të bëhet shpronësimi i tyre.

Spitali i ri do të ndërtohet pikërisht pas godinës së urgjencës së re, pasi të dy spitalet do të lidhen me njëri-tjetrin.

Zgjerimi i ambienteve spitalore në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, pritet t'i japë fund gjendjes së tanishme, ku krevatet e të sëmurëve qëndrojnë nëpër korridore, duke marrë serume në kushte të papërshtatshme për shkak të fluksit të madh të pacientëve dhe kapaciteteve të vogla të spitalit.

 

Vendimi

SHPRONËSIMI, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT "NDËRTIMI I GODINËS SË RE 8-KATËSHE TË MJEKËSISË SË PËRGJITHSHME NË QENDRËN SPITALORE UNIVERSITARE "NËNË TEREZA", TIRANË"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, të ligjit nr.109/2017, "Për buxhetin e vitit 2018", dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit "Ndërtimi i godinës së re 8-katëshe të mjekësisë së përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë".

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë truall + objekt, me një vlerë të përgjithshme prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër, pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër, pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga të ardhurat e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë.

5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në "Fletoren zyrtare".

6. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë.

7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>