News

shk232018

Skandali i fundit me barnat... A është faji vetëm i farmacistes?

 

Skandali i denoncuar mbrëmë, më 22.2.2018 në emisionin "Stop" në TV Klan, ka ngritur shumë pyetje që presin përgjigje. Do të ishte mirë që ky rast, të shërbente për të bërë një ndryshim rrënjësor në sistemin tonë shëndetësor, në mos në një mijë problemet që ai mbart, më së paku, në çështjet teknike, siç është ajo e recetave që lëshohen nga mjekët...

Ngjarja
Një 36-vjeçare ka denoncuar rastin e nënës së saj 63 vjeçare, së cilës, farmacistja, gabimisht, në vend të kompleksit të vitaminave, të përshkruar nga mjeku në recetë, i ka dhënë një tjetër ilaç për gjumë, që u është shtuar dy qetësuesve të mëparshëm. Farmacistja është justifikuar me faktin që, shkrimi i mjekut ka qenë i palexueshëm dhe, duke parë recetën, mund edhe t'i japësh të drejtë... Ngatërresa e krijuar, fatmirësisht, nuk ka patur pasoja të rënda për të sëmurën në fjalë, ama, çfarë do të kishte ndodhur nëse kjo do të kishte ndodhur?

Ligji
Për gabimin e bërë, prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka ngritur çështjen ndaj farmacistes, në bazë të nenit 96 të Kodit të Procedurës Penale: Mjekim i Pakujdesshëm.

Por, i kujt është faji?
Sigurisht, është e lehtë të hidhet faji mbi farmacisten që ka gabuar sepse, në fund të fundit, veprimi është i saji. Kjo është ajo që do të bëjnë të gjithë dhe, për këtë arsye, ajo do të përballet edhe me ligjin. Por, a mos ka ardhur koha t'i shikojmë problemet pak më gjerë se kaq?
A nuk ka faj edhe mjeku, që ka shkruar një recetë me shkrim të palexueshëm? A nuk është edhe ai po aq përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj një qytetareje? Ndërsa flitet për sistemin e recetave online, për dixhitalizim të sistemit dhe për mjekësi në reformë, ndoshta ka ardhur koha që, fillimisht, të zgjidhen disa probleme teknike, që në dukje janë të thjeshta, por pasojat e të cilave mund të jenë shumë të rënda në të ardhmen.
Shkrimi i palexueshëm i mjekëve është një fakt për të gjithë, por për farmacistët, të cilët përballen me këtë problem çdo ditë, përveçse një fakt, ky është një "hall" i vërtetë.  Sigurisht, nuk mund të pritet që, çdo farmacist, për çdo recete, të telefonojë mjekun, siç edhe u referua nga mjeku neurolog, Hajri Gerbi, në emisionin e mbrëmshëm. Më së shumti, farmacistët mbështeten në njohuritë e tyre mjekësore, për të deshifruar recetat e lëshuara nga mjekët, por, të mos i tejkalojmë kompetencat... Mjeku është mjeku dhe, farmacisti është farmacisti. Secili ka rolin e tij, secili bën punën e tij dhe, secili, duhet ta bëjë atë, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndoshta ka ardhur (ose është tejkaluar) koha të bëjmë diçka më shumë, diçka që do ta zgjidhte praktikisht këtë problem. Jo më kot, në vende të tjera, ashtu si edhe në shtetin fqinj, Itali, recetat hidhen në kompjuter. Kjo jo vetëm që do të zgjidhte një ngërç të madh, por do të evitonte edhe tragjedi të mundshme...
A nuk do të ishte mirë që, të merreshin masa urgjente në këtë drejtim? Nëse qeveritë ekzistojnë për të rregulluar dhe mbrojtur jetët e qytetarëve të një shteti, ky rast, duhet të vlejë për të hedhur një hap, edhe në këtë drejtim. Ka ardhur koha që shteti të detyrojë me ligj që recetat të hidhen në kompjuter. Ka ardhur koha që të gjithë mjekët të pajisen me kompjuter dhe me printer, pasi kur flasim për mjekësinë, flasim për jetën. Nuk duhet të kalojë asnjë ditë më shumë pa e hedhur këtë hap. Jemi vonë, por më mirë vonë, se kurrë...

Blerina Çizmja


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>