News

pri132018

Vonohet lista e barnave të rimbursueshme. Tritan Shehu: Shkelje ligjore dhe kosto për buxhetin e shtetit

Farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, po punojnë me listën e barnave të rimbursueshme të vitit 2016. Prej dy vitesh, nuk është miratuar lista e re e barnave që shiten me rimbursim dhe që, sipas ligjit, duhet të miratohet çdo vit. Mosmiratimi i listës ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit, në vlerën 730 milionë lekë të reja. Kjo, për faktin se lista e vitit 2016 ishte miratuar në bazë të një kursi më të lartë të këmbimit të euros. Ndërkohë, në dy vitet e fundit, kursi i këmbimit të monedhës euro është ulur dhe vetëm nga rënia e euros, shteti u paguan më shumë kompanive farmaceutike, rreth 230 milion lekë.

Por, në vitin 2017, barnat pësuan ulje të çmimit gjë që nuk u reflektua te barnat e rimbursueshme pasi në 2017-ën nuk u arrit të hartohej lista e re e barnave me rimbursim. Kjo shkaktoi një tjetër dëm në buxhetin e shtetit, në vlerën 500 milionë lekë.

Tritan Shehu, deputet i Partisë Demokratike thotë se mosmiratimi i listës së re të barnave është një veprim antiligjor dhe në dëm të pacientëve. "Vonesa e listës së barnave të rimbursueshme ka disa kosto. E para bie mbi pacientin sepse lista nuk është rifreskuar me barna të reja. E dyta, se i shkakton gati 15% humbje buxhetit të shtetit, para që shkojnë kot në xhepat e kompanive private", shprehet Prof. Dr. Tritan Shehu.

Lista e barnave të rimbursueshme, si rregull, del çdo vit në fund të muajit mars dhe fillim të muajit prill, por ndonëse ka dy vjet që është vonuar dhe tanimë jemi gati në mesin e muajit prill, askush nuk di të thotë kur do të hyjë në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme.

"Vonesa e listës është e qëllimshme, për arsye korruptive", shprehet Prof. Dr. Tritan Shehu.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>