News

qer52018

OBSH-ja përpilon për herë të parë listën e analizave diagnostikuese për të gjitha vendet

Për herë të parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë përpilon jo më një listë barnash, por një listë analizash thelbësore të nevojshme për diagnostikim të sëmundjeve të zakonshme, por edhe të tjerash prioritare që ndikojnë në të gjitha vendet. Lista u zhvillua pas një konsultimi të gjerë brenda OBSH-së, që ka përfshirë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe një draft i listës u ekzaminua pastaj nga grupi i ekspertëve strategjikë të OBSH-së për diagnostikimin in vitro.

Siç ndodh me listën e barnave të OBSH-së, e cila përditësohet çdo dy vjet që nga viti 1977, agjencia do të përditësojë rregullisht listën e saj të re diagnostikuese bazë. Ky botim i parë do të rritet ndjeshëm edhe në vitet e ardhshme, pasi pritet të përfshijë fusha të tjera të rëndësishme, mes të cilave rezistencën antimikrobike, patogjenet emergjente, sëmundjet tropikale të lëna pas dore dhe sëmundjet e tjera jo të transmetueshme.

"Diagnoza e saktë është hapi i parë për arritjen e trajtimit efektiv. Askush nuk duhet të vuajë ose të vdesë për shkak të mungesës së shërbimeve diagnostikuese ose për shkak se disponueshmëria e testeve të duhura mungon", thotë në një njoftim për shtyp, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Essential Diagnostics List fokusohet në testet diagnostike in vitro dhe përmban 113 teste. Në 58 raste, këto janë teste gjenerike laboratorike të përdorura në kujdesin rutinë të pacientit për diagnostikimin dhe monitorimin e një sërë sëmundjesh të zakonshme si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe anemia, të cilat përbëjnë një paketë thelbësore që mund të ofrojë bazën për shqyrtimin dhe menaxhimin e pacientëve. 55 testet e mbetura kanë të bëjnë me identifikimin, diagnostikimin dhe monitorimin e sëmundjeve që OBSH-ja i konsideron prioritet global, si: Hepatiti B dhe C, infeksionet HIV dhe papillomavirusi human (HPV), malaria, sifilizi dhe tuberkulozi.

Për secilën kategori testimi, lista specifikon llojin e analizës, përdorimin e synuar, formatin dhe nëse është i përshtatshëm për përdorim në kujdesin themelor, apo në mjediset shëndetësore me laboratorë.

"Qëllimi ynë është që të sigurojmë një mjet që do të jetë i dobishëm për të gjitha vendet, për të testuar dhe trajtuar më mirë pacientët, por edhe për t'i përdorur fondet shëndetësore në mënyrë më efikase, duke u fokusuar në analiza vërtet thelbësore. Një tjetër qëllim i yni është t'i sinjalizojmë vendet dhe zhvilluesit se testet që janë në listë, duhet të jenë cilësore, të sigurta dhe ekonomike", thotë Mariangela Simao, asistente/drejtore e përgjithshme për qasje te barnat, vaksinat dhe produktet farmaceutike.

Lista e testeve thelbësore diagnostikues duhet të shërbejë si referencë për vendet, në mënyrë që ato përditësojnë apo të zhvillojnë listën e tyre të shërbimeve thelbësore diagnostikuese, sipas OBSH-së. Me qëllimin për t'i ndihmuar vërtet pacientët, qeveritë kombëtare do të duhet të sigurojnë furnizimet e duhura dhe të garantojnë cilësi, trajnim të punëtorëve shëndetësorë dhe përdorim të sigurt. Për këtë qëllim, OBSH-ja do t'u ofrojë mbështetje vendeve, që ato ta përshtatin listën në kontekstin lokal.

 

OBSH
http://www.who.int/medical_devices/diagnostics/EDL_ExecutiveSummary_15may.pdf


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>