News

gus32018

Dalin kriteret e reja për emërimin e shefave të shërbimeve në spitalet universitare

Shefat e shërbimeve në strukturat spitalore universitare, tanimë do të ndërrohen. Qeveria ka miratuar para pak ditësh edhe disa nga kriteret e përzgjedhjes dhe emërimit të tyre. Në fakt, ky vendim duhej të ishte marrë tre vjet më parë pasi mandati i shefave të shërbimeve në spitalet universitare është 4-vjeçar dhe ata që drejtojnë aktualisht shërbimet në QSUT, në Spitalin e Traumës apo në Spitalin Universitar "Shefqet Ndroqi", janë përzgjedhur që në vitin 2011. Ata e kanë mbyllur mandatin e tyre që në vitin 2015, por për arsye se duhet të përzgjidheshin duke u bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë, përzgjedhjet dhe emërimet e reja u shtynë për gati tre vjet.

Sipas vendimit më të fundit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, shef shërbimi mund të jetë edhe dikush që ka mbrojtur doktoraturën në një universitet të mjekësisë në Shqipëri, gjë që nuk ka qenë e pranueshme më parë, nëse nuk kishe titullin "Profesor". Më parë doktoraturat duhej të ishin mbrojtur në një universitet mjekësie në vende të Bashkimit Europian, apo SHBA, Turqi, Australi dhe Japoni.

Ky kriter kontestohet ndër radhët e atyre që synojnë të kandidojnë pasi ul nivelin e përfaqësimit. Po kështu, kriter tjetër i ri është që, kandidati për shef shërbimi duhet të ketë qenë jo më pak se 8 vjet pedagog pa ndërprerje në fushën ku konkurron. Të gjithë kandidatët konkurrues do të vlerësohen nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve që përcakton një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit. Madje, kandidati fitues do të lidhë kontratë si me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, në këtë rast me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe me drejtuesin e strukturës shëndetësore, pjesë e së cilës është shërbimi që ai do të drejtojë.

Megjithatë, pritet të dalë udhëzimi i dy ministrive në lidhje me pikët, ku do të vlerësohet, përveç dokumentacionit që lidhet me doktoraturën apo eksperiencën e secilit kandidat, edhe vizioni që do të paraqesë secili për mënyrën si do të drejtojë një shërbim të caktuar.

Vendimin e plotë të Këshillit të Ministrave, e gjeni këtu.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Projektligje dhe Ligje
shkoni në download >>