News

nën202018

Deputeti socialist Hyseni, zgjon reagime të ashpra. "Autik" nuk është fyerje, por gjendje shëndetësore

tags: autizëm

Problemi i autizmit, renditet sot në botë, si një ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet familja dhe më tej, e gjithë shoqëria.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë 1 në 160 fëmijë ka një çrregullim të spektrit të autizmit (ASD). Autizmi fillon në fëmijëri dhe ka tendencë të vazhdojë në adoleshencë dhe në moshë madhore. Ndërsa disa njerëz me ASD mund të jetojnë të pavarur, të tjerë kanë aftësi të kufizuara të rënda dhe kërkojnë kujdes e mbështetje gjatë gjithë jetës.

Ndërhyrjet psikosociale të bazuara në prova, siç janë trajtimi i sjelljes dhe programet e trajnimit të aftësive prindërore, mund të zvogëlojnë vështirësitë në komunikim dhe sjellje shoqërore, me një ndikim pozitiv në mirëqenien dhe cilësinë e jetës për personat me ASD dhe kujdestarët e tyre.

Sipas prof. dr. Ariel Çomos, shefi i Shërbimit të Psikiatrisë, që prej vitit 2012 e në vazhdim, ka patur një rritje prej 30%-40% në numrin e fëmijëve të prekur nga autizmi, falë një vëmendjeje të shtuar në diagnostikim. Kjo do të thotë se autizmi prek 1 në 68 fëmijë të lindur në Shqipëri dhe se shëndeti publik po hyn në krizë. Sipas prof. Çomos, është e domosdoshme që të zvogëlohet mosha e të prekurve dhe të ndërhyhet me terapi që në moshën 2 vjeçare.

Prindërit duhet të ndihen "të ndihmuar nga politikat sociale", kur përfitojnë asistencën për këta fëmijë dhe... kaq. Me gjithçka tjetër ata duhet të përballen vetë. Qendra Rajonale për Trajtimin e Autizmit, e ngritur në Tiranë nuk plotëson nevojat e numrit në rritje të të prekurve me këtë çrregullim.

Politikat shtetërore në mbrojtje të kësaj shtrese të shoqërisë, të këtyre familjeve që duhet të përballen çdo ditë me probleme nga më të ndryshmet, janë shumë të vakëta, për të mos thënë se, në krahasim me rëndesën e problemit, ato nuk ekzistojnë.

Dhe, ndërsa gjithë bota përpiqet të krijojë struktura e politika mbështetëse për shtresat më të prekshme të shoqërisë, me mijëra familje në Shqipëri përpiqen të përballojnë krejt të vetme problemet shëndetësore të familjarëve të tyre, si një "barrë që duhet mbajtur".

Pavarësisht se herë pas here flitet për "politika mbështetëse", duket se nuk mbetet shumë shpresë për të pritur një qasje më pozitive e mirëkuptuese nga ata që i bëjnë këto politika.

Pse? Sepse fatkeqësisht, jo vetëm që nuk ka një qasje të tillë, por nuk ka as edhe një dëshirë të mirë për të kuptuar më shumë për këtë shtresë shoqërore, duke qenë se me sa duket, ata prej të cilëve duhet të presim politika sociale, as që e dinë se çfarë është kjo shtresë, as që e dinë se ç'janë këto çrregullime shëndetësore dhe, më keq akoma, stigmatizojnë me emrin e tyre.

Rasti i fundit, na shtyn të mendojmë pikërisht këtë. Alket Hyseni, pas një akuze të Sali Berishës, iu drejtua deputetit me fjalën "plak autik". Deputeti dhe ish-Kryetari i Komisionit të Garancive Statutore dhe të Etikës të PSSH, gjen pikërisht këtë fjalë për t'iu drejtuar ish-kryeministrit të Shqipërisë, pa e menduar për asnjë moment se kjo, vetëm etikë që nuk mund të quhet. Pa e menduar se jo vetëm që po jep shembullin e stigmatizimit të një shtrese shoqërore, gjë kjo e palejueshme për askënd dhe aq më tepër për një deputet, por edhe po e diskriminon këtë pjesë të shoqërisë, që hamendësohet se ai duhet ta mbrojë.

Pas kësaj fyerjeje, kanë reaguar ashpër, themeluesja e fondacionit "Down Syndrome Albania" Emanuela Pepkola Zaimi, e cila ka kërkuar reagim dhe është shprehur: "Të mos guxojë me politikan të përdorë gjendjet e fëmijëve tanë për fyerje". Zonja Zaimi ka nisur edhe një nismë me këtë rast: #AlketHyseniJepniDoreheqjen.

Nga ana tjetër, psikologia Denada Toçi, i është përgjigjur me një letër të hapur, deputetit socialist, ku i kërkon atij të kërkojë falje publike. Më poshtë, letra.

 

Blerina Çizmja

 

 

"Z. Alket Hyseni,

Ju ftoj të kërkoni falje publike për përdorimin e fjalës "autik" si një epitet fyes për një prej figurave politike të vendit. Ju i keni dhënë shoqërisë të pakten tre mesazhe: 1. Përdorimi i "Autizmit" si konotacion negativ duke ndihmuar kështu stigmen të zë më shumë vend mes nesh 2. Të sjellë në vëmendje "autizmin" si një Çrregullim i cili nuk ka shpresë si për fëmijët dhe për familjarët që kalojnë kohë më këta fëmijë. Ndërkohë që shumë prej tyre ia dalin lehtësisht të jenë pjesë e shoqërisë. Por duket se deputeti nuk ka shumë informacion, ose më mirë aspak, dhe për më tepër, mungesë ndjeshmërie ndaj njerëzve me aftësi ndryshe. E ftoj gjithashtu deputetin të kryqëzojë një herë jetën e tij pranë një fëmije apo individi me autizem, ka shumë gjasa që do ndryshojë mendje në raport me epitetin që i ka vendosur në mesazhin e tij ish-kryeministrit. Fëmijët me autizëm nuk fyejnë dhe gënjejnë, nuk ngrenë kurthe dhe shantazhojnë, nuk vjedhin dhe propangandojnë. Ata thjesht janë më të mirë se ju, ky është fakt! Dhe një gjë është e sigurte, që e mbajnë fjalën e dhene. Janë me "burra" se ju! E pra, matuni mire heres tjetër që ju shkon ndërmend të përdorni një epitet si ky, apo ndonjë tjetër si ajo e sindromes Down. Edhe në këtë rast, betejën e "njeriut të mirë" e keni humbur. Fitojnë prapë ata.
E së fundmi, po ju them se me këto epitete, iu përgjigjet thirrjes për ndihmë të prindërve me fëmijë në vështirësi zhvillimi, me sytë nga politika, se për ata ka shumë pak shpresë që të kenë mbështetjen tuaj.", ka shkruar psikologia Toçi.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>