News

dhj142018

Doktor Leonard Deda: Çfarë ndryshon në lidhje me hidroklortiazidin, pas njoftimit për rrezik

Ditët e fundit, autoritetet europiane kanë tërhequr vëmendjen drejt hidroklortiazidit, një bari që përdoret rëndom në botë dhe në Shqipëri, si mjekim kryesisht për hipertensionin,  në lidhje me rrezikun që paraqet për karcinomë të lëkurës. Ne kemi kërkuar një mendim të specializuar nga doktor Leonard Deda, pedagog në Fakultetin e Farmakologjisë dhe pjesë e Nomenklaturës së Barnave, pjesëmarrës në komision për shkak të ekspertizës...

 

- Autoritetet rregullatore nënvizojnë rrezikun për karcinomë. Jeni në dijeni këtij fakti?

- Kjo çështje ka filluar të vlojë pak më përpara, që në 2017-ën. Në literaturë, gjen diskutime. Bëhen pak intriguese gjërat sepse zakonisht, ne besojmë që brenda 10, maksimumi 20 vjetësh, bari nxjerr çfarë ka për të nxjerrë, në kuptimin e efekteve të padëshiruara anësore. Hidroklortiazidi ka të paktën 50 vjet në treg, por jo se nuk besohet, sepse ata që e kanë punuar kanë parë gjëra të këtij lloji në bazën e të dhënave të pacientëve me karcinomë të qelizave bazale, të shkaktuar prej tij. Fatmirësisht, kjo diagnozë është fatale vetëm në raste shumë të rralla. Studiuesit shohin: A ka ndonjë grup më të predispozuar, në lidhje me gjininë, moshën, duhanin, dietën, vendndodhjen, trajtimin? Sepse, e bukura është që, epidemiologjia flet për popullatën, por s'thotë asgjë për individin. Në këtë bazë, është gjetur asosacioni që, te këta pacientë që marrin hidroklortiazid, numri është më i madh se te të tjerët. Teorikisht, mund të thuash se ata që nuk marrin hidroklortiazid janë më pak të favorizuar për ta zhvilluar sepse marrin atë që s'e dimë. Duhet parë sepse baza madhore e të dhënave është e Danimarkës dhe kjo mund të jetë një popullatë dependente, që ndikohet shumë nga ngjyra e lëkurës e nga ekspozimi ndaj diellit sepse besohet që në lojë është njëfarë sensibilizimi që i bën lëkurës ndaj rrezeve të diellit, por nuk është i vetmi. Kështu, alerti është vetëm: Kini kujdes! Të paktën te pacientët që kanë patur probleme me kancer lëkure, jo të tipit të melanomës, duhet bërë e qartë që të jenë të vëmendshëm sepse për ta, rreziku është më i lartë, por jo se e shkakton bari.


- Kur thoni që jeni në dijeni, po thoni se jeni në dijeni ju dhe një grup mjekësh specialistë, apo institucionet?

- Jam në dijeni unë. Për të tjerët nuk e di. Me një fjalë, unë, kur të jap leksionet për sistemin kardiovaskular, për hidroklortiazidin do të shtoj edhe këtë. Dhe, me siguri do të ngrihet ndonjë student nga ata të mirët dhe do të thotë: "Dakord. Po për ndonjë tiazidik tjetër, a është e vërtetë kjo?".


- Duke qenë se në këtë rast, autoritetet rregullatore te barnave në Europë kanë bërë njoftim zyrtar, drejtuar mjekëve, a është kjo një bazë e fortë për të bërë të njëjtën gjë në Shqipëri?

- Duhet bërë. Autoriteti rregullator dhe përgjegjës për barnat në Shqipëri, Agjencia e Barnave dhe e Pajisjeve Mjekësore ka Departamentin e Farmakovigjilencës, që mbikëqyr me aq sa mundet se çfarë ndodh këtu te ne dhe, njëkohësisht e mban njërin vesh të hapur për atë çka ndodh jashtë. Normalisht, duhet bërë një njoftim te sajti i tyre. Të shohim çfarë do ndodhë. Ata kanë strukturë dhe duhet ta dinë këtë.
Para kësaj ka qenë rasti i Valsartanit diku nga korriku. Një nga furnitorët kinezë fshihte ose nuk e dinte praninë e një substance me potencial kancerogjen, që do të thotë se, nga 7000 vetë të trajtuar për 5 vjet, njëri do të bënte kancer. Unë u thashë. Ishin të informuar, por nuk pashë ndonjë reagim publik.


- Valsartani vazhdon të tregtohet, madje edhe në kombinim me hidroklortiazidin...

- Ne kemi një problem në Shqipëri, që nuk kemi një regjistër të lëndëve të para që përdorin produktet. Mund të kesh dhjetë produkte me valsartan, por nuk e di se cili prej tyre, potencialisht, përdor substancën kineze.


- Cili është roli konkret që duhet të luajnë autoritetet e fushës?

- Duhet të njoftojnë, sepse ndërkohë, kompanitë serioze kanë filluar t'i rregullojnë fletët udhëzuese të barnave, edhe për hidroklortiazidin. Me një fjalë, për komponentët që kanë hidroklortiazid, thuhet edhe ky fakt.

 
- Si veprohet në këto raste, kur kemi sinjalizime për rrezikun e një bari, a bëhen shënime te lista e barnave dhe kur bëhen ato? Cili është roli i FSDKSH-së në këtë rast?

- Fondi thjesht suporton financiarisht barin, përkundrejt një liste barnash që raportin risk-benefit e kanë të përshtatshëm sepse bar të sigurt nuk ka. Bari vlerësohet me të mirën dhe të keqen e tij. Aty ku e mira mbizotëron, ai bar vlen. Autoritetet që kanë ekspertizën, po ta kishin parë të frikshëm problemin, do ta kishin pezulluar, por atje është bërë vetëm një tërheqje vëmendjeje... Sepse, edhe në vetvete, karcinoma e qelizave bazale nuk është fatale. Por nuk mjafton kjo. Eventualisht, evidenca nuk është konkluzive. Ai e ka kap si sinjal, e raporton dhe pret grumbullim evidence.


- Nëse do të bëhej një njoftim i tillë për mjekët shqiptarë, mendoni se kjo do të ndikonte te përshkrimet e tyre?

- Nuk duhet të ndikojë. Duhet të ndikojë te kujdesi ndaj pacientit, por ky nuk është motiv për të mos e përshkruar. Në momentin që e përshkruan, duhet t'ia bësh të qartë pacientit se për këtë bar ka edhe këtë informacion, që të tregohet i vëmendshëm nëse sheh diçka që nuk shkon (duke qenë se karcinoma është te buza), ose eventualisht të mos e përdorë dikush që ka patur një problem të tillë më parë.


- Ju vetë keni bërë shumë studime deri më sot...

- Kjo është puna ime...


- Po për hidroklortiazidin, ka patur ndonjëherë një studim në Shqipëri, duke qenë se është një bar kaq i përdorur?

- Është marrë, por unë nuk e shoh në prizmin e efekteve të padëshiruara, pasi për këto duhet të kesh popullatë të madhe, regjistra të mëdhenj. Unë i kam studiuar në aspektin e cilësisë që ka produkti, nëse fut sasinë që duhet në gjak, apo jo.


- Aktualisht, me çfarë po merreni, doktor?

- Për momentin, jam pak bosh sepse kam shumë ngarkesë me studentët, por nga janari do të nis punën me përqendrimet në gjak të Glivec-ut. Glivec-u tani është spostuar, duke qenë se kanë hyrë gjenerikët që janë me çmim më të lirë, por qarkullon ideja se gjenerikët nuk kanë cilësi. Në qoftë se mat përqendrimet në gjak, ti i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Sepse, ka individualitet, çdo njeri, nëse pavarësisht çfarë përdor, përqendrimin në gjak e ka të përshtatshëm apo jo. Kam qejf të përfshij edhe ndonjë student për temë diplome.


Përgatiti: Blerina Çizmja


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>