tet182019
Prof. dr. Tritan Shehu: Check up-et në popullatë, efikase për sistemin shëndetësor, kur bëhen për qëllime shkencore
Check up-et apo metodat e parandalimit të sëmundjeve dhe të ruajtjes së shëndetit të njerëzve janë metoda të rëndësishme në mjekësi. Pa dyshim, të kërkosh, të parandalosh dhe të investigosh, është shumë e rëndësishme në sistemin shëndetësor dhe kjo duhet bërë në mënyrë shkencore e teknike, bazuar në protokolle të qarta, mbi eksperiencën botërore, në mënyrë që të kenë rentabilitet klinik dhe efekte pozitive, duke nxjerrë konkluzione konkrete.
Check up-i kërkohet të bëhet në mënyrë të mirëorganizuar, duke dalë me përfundime të qarta klinike, qoftë për individin që e bën, qoftë nëse bëhet në tërësi për popullsinë, me konkluzione të rëndësishme për strategjinë shëndetësore dhe për benefitet e studimit shëndetësor. Me konkluzione të qarta mbi sëmundshmërinë në popullsi dhe pa dyshim, në fund të fundit, me përfitime klinike dhe financiare, sepse parandalimi ul koston e mjekimit të të sëmurëve dhe kjo duhet thënë qartësisht.
Pra, këto janë metoda parandalimi me rëndësi në mjekësinë bashkëkohore, të cilat përkthehen në ulje të kostove dhe shpenzimeve financiare që nevojiten për të trajtuar sëmundjet, kur ato diagnostikohen në stade të avancuara.
Por, e theksoj që check up-et sigurisht duhen bëre me protokolle të qarta të studiuara, të argumentuara dhe me pritshmëri konkrete në realizmin e tyre, për të justifikuar edhe shpenzimet që bëhen për to. Unë jam i mendimit që check up-et janë absolutisht të domosdoshme.
Kur bëhet një check up, duhet të ketë protokolle, diskutime mes specialistëve, pritshmëri, duhen konkluzione për një metodë të ndjekur, në mënyrë që politikat që do të pasojnë, të bazohen në të dhënat që kanë dalë nga check up-i. Ky është ndryshimi kur një check up bëhet për qëllime shkencore, është profesional dhe strategjik, nga një check up i thjeshtë. Ky është qëllimi i kërkimit parandalues që bëhet në botë.
Përgatiti: Alma Demiraj