dhj102019
Në janar 2020, nis të funksionojë koncesioni i laboratorëve
Pas shumë debatesh dhe protestave të punonjësve të laboratorëve në QSUT dhe spitaleve ku do të nisë të funksionojë, koncesioni i laboratorëve starton në janar 2020.
Kontrata me partneritetin publik privat ka marrë miratimin e qeverisë dhe ai do të shtrihet në 5 spitale publike, përfshirë si fillim spitalet universitare, për të vijuar me spitalet rajonale dhe ato bashkiake.
Koncesionari i shpallur fitues për të ofruar shërbimin e laboratorëve ka një kontratë 10-vjeçare. Sipas kontratës zyrtare, kalimi i laboratorëve te kompania private do të rrisë gamën e analizave që kryhen aktualisht në sistemin publik shëndetësor nga 96, në 160 lloje. Në këmbim, qeveria shqiptare do t'i paguajë koncesionarit privat 7.1 milionë euro në vit për 10 vitet e ardhshme, ose mbi 71 milionë euro në total.
Korporata Ndërkombëtare Financiare, ndryshe IFC, ka shërbyer si konsulentja ligjore e të gjithë procesit për dhënien e laboratorëve me koncesion në vendin tonë. Projekti koncesionar për 18 laboratorët mjekësorë në vend u prezantua në vitin 2014. Kjo ngjalli debate pasi mendohej se privati nuk e siguron cilësinë e analizave, siç garantohet në publik. Nga ana tjetër, në QSUT tanimë kryhen vetëm analiza të pacientëve të shtruar dhe nuk pranohen analiza të rekomanduara nga qendrat shëndetësore. Sipas një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë, analizat në kushte ambulatore do të kryhen në qendra shëndetësore të specializuara.
Alma Demiraj