News

sht32020

Dipyridamole. Efekte të mundshme terapeutike te pacientët COVID-19 në gjendje shumë të rëndë

Një studim i kryer së fundi, ka dalë në përfundimin se antikoagulanti dipyridamole (DIP), arrin të ndalë replikimin e SARS-CoV-2 in vitro. Infeksioni nga SARS-CoV-2 mund të shkaktojë sindromën e distresit respirator akut, hiperkoagulueshmëri, hipertension dhe mosfunksionim shumëorganësh. Në analizën e një grupi me përzgjedhje rastësore të 124 pacientëve me COVID-19, u zbulua se hiperkoagulueshmëria, që shfaqet në shtimin e përqendrimit të D-dimereve, është e lidhur me ashpërsinë e sëmundjes.

Kështu, në studimin që ka përfshirë 31 pacientë me COVID-19, shtimi i DIP-it u shoqërua me ulje të konsiderueshme të përqendrimit të D-dimereve (P <0,05), me rikuperim më të madh të limfociteve dhe trombociteve në qarkullim dhe rezultate klinike të përmirësuara dukshëm, në krahasim me pacientët e grupit të kontrollit. Në veçanti, të 8 pacientët e sëmurë rëndë të trajtuar me DIP, paraqitën një përmirësim të jashtëzakonshëm: 7 pacientë (87.5%) arritën shërimin klinik dhe u nxorën nga spitali, ndërsa 1 pacient i mbetur (12.5%) ishte në remision klinik.

Mosha mesatare e pacientëve ishte 56 vjeç. Të gjithë pacientët kishin kollë, > 75% kishin gulçim dhe 35% -57% të përziera dhe të vjella. Skaneri i kraharorit zbuloi pneumoni bilaterale në 14 pacientë të trajtuar me DIP dhe 17 pacientë në grupin e kontrollit. Për më tepër, testi RT-PCR i ARN-së së SARS-CoV-2 ishte pozitiv për të gjithë pacientët. Përqendrimet e D-dimerit u rritën përkatësisht në 50% (4/8) dhe 42% (5/12) te pacientët e sëmurë rëndë në grupin e trajtuar me DIP dhe në grupin e kontrollit. Sëmundjet shoqëruese, përfshirë diabetin melit, sëmundje kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare, u gjetën në 6 pacientë në secilin prej grupeve të trajtuara me DIP dhe në grupin e kontrollit. Pacientët me diabet u trajtuan me injeksione të insulinës dhe ata me sëmundje kardiovaskulare, me nifedipinë.

Dipiridamoli (DIP) është një agjent antitrombocitar që vepron si frenues i fosfodiesterazës (PDE) që rrit cAMP/cGMP24 brenda qelizës. Përveç funksionit të mirënjohur antitrombocitar, DIP-i mund të sigurojë përfitime të mundshme terapeutike për pacientët me COVID-19. Studimet,  përfshirë provat klinike të kryera në Kinë, kanë demonstruar se DIP-i ka spektër të gjerë antiviral dhe është veçanërisht efikas ndaj viruseve me fije pozitive ARN. Së dyti, ai shtyp inflamacionin dhe favorizon shërimin e mukozës. Së treti, si një frenues pan-PDE, DIP-i mund të parandalojë dëmtimin akut dhe fibrozën progresive të mushkërive, zemrës, mëlçisë dhe veshkave.
Terapia antikoagulante është administruar përmes tabletave orale. Protokolli i trajtimit ditor përbëhej nga 150 mg në tre doza të ndara, për 14 ditë rresht. Të gjithë pacientët monitoroheshin çdo ditë për ngjarje të mundshme anësore. Të gjithë pacientët morën antiviralë (ribavirinë, 0,5 g, Q12h), kortikoidë (metilprednizolon suksinat natriumi, 40 mg, QID), terapi me oksigjen dhe mbështetje nutricionale, sipas nevojës.

Në analizën e treguesve laboratorikë, është vëzhguar një shtim i vazhdueshëm (ndonëse jo statistikisht domethënës) i numrit të limfociteve dhe trombociteve te pacientët që marrin trajtim DIP, në krahasim me pacientët e kontrollit.


Burimi: NCBI
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC7169892/


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>