News

tet92020

Covid-19. Mjekët e familjes, pa një protokoll zyrtar trajtimi. Prof. Harxhi: Të trajnohen, pasi po përdorin antibiotikë me tepricë

Mjekët e familjes po trajtojnë një numër të lartë pacientësh me Covid-19, por ata nuk kanë asnjë protokoll zyrtar ku të bazohen. Janë trajnuar që në fillim të pandemisë dhe u është dhënë një udhëzues që në muajin prill të këtij viti, ndërkohë që informacionet dhe medikamentet për Covid-19 kanë ndryshuar dhe mjekët duhen orientuar sërish. Profesor Arjan Harxhi thotë se vihet re përdorim me shumicë antibiotikësh kur nuk duhet.

"Ka një përdorim të antibiotikëve me tepricë. Flas këtu për trajtimin e rasteve të lehta, raste që ndiqen në kushte ambulatore nga mjekët e familjes. Përdorin me shumicë azitromicinë. Nuk mund ta përdorin kur simptomat janë të lehta, por vetëm në rast pneumonie", shprehet prof. dr. Harxhi.

Sipas Harxhit, protokollet duhen rifreskuar dhe përshtatur sipas individëve, madje shembull i mirë për ekspertët duhet të shërbejë trajtimi që po i bëhet presidentit amerikan Tramp.

"Presidenti Tramp po trajtohet me deksametazon. Ky preparat është edhe te ne, e përdorim edhe ne, por protokollet thonë që përdoret në rastet e rënda, ndërkohë që klinika që ka shfaqur Trampi, nuk futet te rastet e rënda. Ky duhet jetë një shembull për ekspertët, që protokollet duhen përshtatur sipas klinikës së individit", theksoi prof. dr. Arjan Harxhi.

Me uljen e temperaturave, pritet numër më i lartë të infektuarish dhe prof. Harxhi ka një mesazh për të gjithë:

"Parimi klasik në mjekësi është: më mirë të parandalosh, sesa të trajtosh. Ndaj, vendosni maskën, dezinfektoni duart dhe respektoni distancën 2 metra nga njëri-tjetri".


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>