News

nën32020

Autopsitë konfirmojnë se Covid-19 shkakton patologji që përfshin shumë organe

Sipas një studimi të botuar në "Journal of Infectious Diseases", Covid-19 jo vetëm që sulmon mushkëritë dhe zemrën, por mund të shkaktojë sëmundje multisistemike. "Përshkrimet e karakteristikave patologjike të sëmundjes së re nga coronavirusi vijnë nga biopsitë e indeve, raportet e rasteve dhe studime të vogla pas vdekjes, të kufizuara në mushkëri dhe organe specifike. Nga ana tjetër, studimet e bazuara në autopsinë e të gjithë trupit, kanë qenë të pakta", shpjegon Laura Falasca (Instituti Kombëtar për Sëmundjet Infektive, "Lazzaro Spallanzani" në Romë), autore kryesore e studimit.

Për të përcaktuar më mirë patologjinë në të gjitha organet e trupit, studiuesit kryen autopsinë e 22 pacientëve me Covid-19 të cilët vdiqën në spitalin "Spallanzani", nga të cilët 18, me moshë mesatare 76 vjeç, kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese. Këto të fundit përfshinin hipertensionin, sëmundjet e zemrës, diabetin, kancerin, sëmundjet respiratore apo renale. Të katër pacientët pa sëmundje shoqëruese kishin moshë mesatare 48.5 vjeç. Ekspertët ekzaminuan indet e mushkërive, zemrës, mëlçisë, veshkave, shpretkës dhe palcën e kockave. Truri nuk u analizua dhe vetëm indet e mushkërive iu nënshtruan mikroskopisë elektronike të transmetimit.
Kështu, analiza e indeve tregoi se Covid-19 mund të shkaktonte një patologji multisistemike dhe se përfshirja pulmonare dhe kardiovaskulare ishin tiparet patologjike mbizotëruese. Mushkëritë shfaqën zmadhim, edemë dhe mbingarkesë, trashje dhe rrjedhje pleurale, si dhe mbirregullim të receptorit të citokinave CXCR3. Zemrat e pacientëve ishin zmadhuar në peshë dhe madhësi, hipertrofike dhe me atriume dhe ventrikuj të dilatuar. Manifestime të tjera ishin përfshirja hepatike, renale, e shpretkës dhe palcës së kockave, si dhe lezione mikrovaskulare e trombozë. Studiuesit theksojnë se vëzhgimet ishin të ngjashme në pacientët me ose pa sëmundje shoqëruese paraekzistuese.

"Është e rëndësishme t'u jepet përparësi studimeve të autopsisë. Për të përcaktuar patogjenezën dhe spektrin e plotë të patologjisë Covid-19, nevojiten studime të plota të autopsisë në të gjithë trupin, të cilat përfshijnë pacientë me një gamë të gjerë prejardhjeje gjeografike, moshe, grupi etnik dhe sëmundjesh shoqëruese", përfundojnë autorët.


J Infect Diseases 2020. Doi: 10.1093/infdis/jiaa578
https://doi.org/10.1093/infdis/jiaa578


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>