News

dhj12021

HIV/AIDS në Shqipëri. ISHP: 91 raste të reja për vitin 2021. Pandemia Covid e largoi pacientin nga mjeku infeksionist

1 dhjetori është dita ndërkombëtare e HIV/AIDS-it, ditë që synon ndërgjegjësimin e popullatës për t'u testuar. Shqipëria është një vend me incidencë të ulët, por gjithsesi, gjatë vitit 2021, janë konstatuar 91 raste të reja pozitive me HIV/AIDS. Sipas Roland Banit, koordinator i programit kombëtar HIV/AIDS, pjesa më e madhe e rasteve te reja janë meshkuj me prirje homoseksuale.

"Deri më 1 dhjetor 2021 janë diagnostikuar 91 raste të reja, nga të cilat 26 janë femra dhe 65 janë meshkuj. Por, numri duhet të jetë edhe më i lartë. Meshkujt janë pothuajse dy herë më shumë se femrat dhe rruga e transmetimit është ajo nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe kryesisht, me prirje homoseksuale. Kanë humbur jetën gjatë këtij viti 10 pacientë, nga të cilët, 5 raste të reja që u diagnostikuan vonë", shprehet Bani.

Që nga identifikimi i rastit të parë me HIV/AIDS në Shqipëri në vitin 1993, janë diagnostikuar 1430 persona HIV-pozitivë. 749 vetë marrin mjekim me ARV.
Por, si ndikoi pandemia e Covid te këta pacientë?
Olimbi Hoxhaj, presidente e Shoqatës së Pacientëve me HIV/AIDS tha për doktor33 se shndërrimi i shërbimit infektiv në spital Covid, i penalizoi pacientët që ishin në terapi, të shtruar, apo të tjerë që kishin nevojë për t'u shtruar.

"Pacientët u shpërndanë në shërbimet e tjera, por nuk kishin mjekun infeksionist që i ndiqte dhe që e dinte ecurinë e tyre. Shërbimi ambulator ka funksionuar. Ne po përpiqemi që dy analiza të rëndësishme si ngarkesa virale e pacientit me HIV dhe ajo e imunitetit, të bëhen në Laboratorin e QSUT-së, pasi nuk u përfshinë në listën e analizave që mori përsipër koncesionari", shprehet Hoxhaj.

Pacientët me HIV/AIDS janë vaksinuar kundër Covid-it me vaksinën Pfizer; të paktën ata që paraqiten në shërbimin ambulator për të marrë mjekimin.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>