News

jan282022

Mjekët po preken nga sindroma "Burnout". Urdhri i Mjekut, thirrje për mbështetje financiare shtesë

Ngarkesa përtej kapaciteteve njerëzore që po përjetojnë qendrat shëndetësore dhe specialitetet, për shkak të fluksit të lartë të infektimeve, ka sjellë edhe lodhjen e stafeve mjekësore dhe infermierore. Presidenti i Urdhrit të Mjekut Fatmir Brahimaj, thotë se mjekët po preken nga sindroma "Burnout", ose ajo e rraskapitjes në vendin e punës, ndaj kërkohet të mbështeten financiarisht.

Vala e infektimeve nga varianti i ri Omicron i ka mbingarkuar sërish mjekët e familjes, të cilët, ashtu si edhe më herët, po punojnë përtej kapaciteteve në burime njerëzore, duke mbajtur peshën e pandemisë. Përveç vizitave në qendër, ata mbajnë kontakte orë e pa orë edhe përmes telefonit me pacientët. Në këto kohë, Covidi, virozat, gripi, vaksinimet, të sëmurët kronikë, injeksionet, analizat, plotësimi i shkresave etj., janë shërbime që përmblidhen brenda një qendre shëndetësore, duke sjellë kështu një lodhje në kufijtë e rraskapitjes në vendin e punës.

Drejtoresha e Dispanserisë, dr. Entela Nako thotë se: "fluksi i ekzaminimeve gjatë kësaj kohe ka qenë i lartë, 200-300 në një ditë pune dhe po kështu edhe ndjekja e pacientëve post-covid. Patjetër që ndihemi të lodhur nga ngarkesa, por kur u shërben pacientëve e kur merr mirënjohje prej tyre dhe kur kujton edhe betimin e "Hipokratit", e neutralizojmë disi.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj, tha se: "Në vitin 2018, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deklaroi të dhënat e një studimi ku më shumë se gjysma e mjekëve kudo në botë, 4 milionë mjekë, vuanin nga sindroma "Burnout", ose e ajo e rraskapitjes në vendin e punës. Imagjinoni tani se si rezulton kjo kur mjekët për shkak të pandemisë po përjetojnë një ngarkesë të lartë punësh shtesë, si: testimet për Covid, analizat shtesë, vaksinimet anti-covid, si dhe ndjekja e virozave të tjera dhe sëmundjeve kronike", tha Brahimaj.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut apelon për mbështetje financiare për mjekët e sistemit parësor dhe të specialiteteve, të cilët po përballen çdo ditë me këtë ngarkesë prej gati dy vjetësh. Mjekët kanë nevojë t'u dëgjohet fjala dhe të mos krijohen sorollatje në sistem. Ata duhen nderuar, respektuar dhe vlerësuar edhe me anë të një bonusi financiar shtesë për këtë ngarkesë që po përjetojnë.

"Burnouti", ose sindroma e rraskapitjes në vendin e punës është një gjendje me të cilën po përballen gjithnjë e më shumë mjekë në mbarë botën. Shefi i OBSH-së e ka theksuar disa herë në daljet e tij rrezikun e ezaurimit të burimeve njerëzore në sistemet shëndetësore gjatë kësaj kohe, duke u bëre thirrje qeverive të marrin masa mbështetëse.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>