News

maj192022

Hipertensioni, vrasësi më i madh. Prof. Mihal Tase: shqetësues, tensioni i lartë te moshat e reja. Duhet të ndërhyjmë për të parandaluar

1 në 3 vetë mbi 18 vjeç në Shqipëri vuan nga tensioni i lartë. Këto janë statistikat më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, por ka edhe shumë të tjerë që janë me hipertension dhe nuk e dinë, ndaj shifrat janë edhe më të larta. Shefi i shërbimit të Mjekësisë Interne dhe HTA në QSUT, prof. Mihal Tase, thotë se shkaqet kryesore janë: jeta sedentare, ushqimet jo të shëndetshme, përdorimi i duhanit, alkoolit dhe drogave të ndryshme nga të rinjtë.

"Nisur nga eksperienca ime e gjatë në këtë shërbim, vihet re shtim i të rinjve që shfaqin tension të lartë. Tensioni i lartë në moshën 45-vjeçare ka qenë shumë i rrallë, por tani është bërë i zakonshëm, madje ka dhe shumë mosha edhe më të reja që shfaqin tension", shprehet prof. Tase.

Hipertensioni konsiderohet vrasësi më i madh, pasi dëmton organet kryesore. 900 vdekje në vit shkaktohen nga tensioni i lartë.

"Nuk vrasin shifrat e larta të tensionit në një moment të caktuar, por tensioni i lartë në mënyrë të vazhdueshme dëmton organet kryesore. Tensioni dëmton enët e gjakut, dëmton zemrën, veshkat", thekson prof. Tase.
Nisur nga shifrat alarmante, ku 38% e vdekjeve i atribuohen hipertensionit, prof. Tase thotë se duhet të ndërhyhet me politika të posaçme për të parandaluar, duke ndryshuar stilin e jetesës.

"Nga ana individuale duhet bërë kujdes me peshën, duhet të shtojmë aktivitetin fizik, duhet bërë kujdes me kripën. Vetëm 2.5 deri në 3 gramë kripë duhet konsumuar në ditë", theksoi prof. Mihal Tase.
Përveç kujdesit individual, duhet të ndërhyjnë edhe struktura të shëndetësore dhe jo vetëm, për të riformuluar produkte që hidhen në treg, deri dhe në kufizimin e produkteve me përmbajtje të lartë kripe dhe sheqeri, duke u vënë atyre taksa më të larta.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>