News

qer132022

Zhvillohet kongresi i parë i dermatologjisë në Shqipëri. Apel institucioneve: T'u ndalohet kryerja e procedurave mjekësore atyre që nuk janë profesionistë

Në ditët e sotme mund të dukesh më i ri sesa mosha që ke, mund t'iu japësh një formë më të bukur buzëve, mollëzave apo të ndërhysh në pjesë të tjera të trupit, pasi në fushën e dermatologjisë është bërë revolucion. Por, në Shqipëri, këto procedura edhe pse janë injeksione me shiringë në lëkurë, mund t'i ofrojë një parukiere te lagjja e cila nuk di asgjë për shtresat e lëkurës dhe deri ku mund të shpojë me gjilpërë, pa folur për produktet që injektohen dhe të cilave nuk u dihet as origjina. Për herë të parë, mjekë dermatologë, kirurgë plastikë, mjekë të familjes, dentistë dhe jo vetëm, janë bërë bashkë për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet tyre, por edhe për të kërkuar të ndalohen jo profesionistët pasi po shpërfytyrojnë vajzat, shpesh edhe në mosha të vogla, të cilat bien pre e çmimeve më të lira që ofrojnë ata që nuk janë profesionistë. Mjekja dermatologe Erjona Shehu thotë se duhet të ushtrohen kontrolle të shumta pasi një infermier që bën injeksion, bën tre vjet shkollë.

"Duhet të ndërhyjnë institucionet pasi është e patolerueshme që një parukiere të ndërhyjë në lëkurë duke injektuar produkte për të cilat nuk ka asnjë informacion. Këta janë lehtësisht të identifikueshëm pasi bëjnë reklama nëpër rrjete sociale. Mjekët dermatologë kontrollohen dhe kalojnë disa filtra para se të ushtrojnë profesionin e tyre", shprehet mjekja dermatologe Erjona Shehu.

Mungesa e kontrolleve ndaj jo profesionistëve ka shtuar rastet e vajzave të shpërfytyruara që shkojnë te profesionistët për të riparuar dëmet, por shpesh është vonë.

"Janë shtuar rastet e vajzave që na vijnë të shpërfytyruara, pasi për një çmim më të lirë shkojnë nëpër parukeri të kryejnë procedura që mund t'i bëjë vetëm një mjek profesionist. Është shumë më e vështirë të bësh një riparim sesa një injektim. Duhet të shtohen kontrollet edhe në lidhje me cilësinë e produkteve që përdoren, pasi ato japin efekte anësore që nga më të thjeshtat, siç janë alergjitë e deri në verbim", shpjegoi prof. Monika Fida, mjeke dermatologe.

Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të frenuar jo profesionistët të cilët janë lehtësisht të identifikueshëm pasi i gjen të reklamuar nëpër rrjete sociale. Një pjesë e mirë e produkteve që ata përdorin i fusin kontrabandë.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>