News

qer152022

Krijohet Agjencia e Sigurisë së Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor. Drejtori i ASCK, Denis Gjika: Akreditimi kërkon plotësimin e standardeve optimale në mbi 70%

Mbi 1 mijë struktura shëndetësore publike dhe private, përfshirë edhe klinikat dentare, do të kalojnë në sitën e Agjencisë së Akreditimit e cila sapo është krijuar dhe do të vlerësojë nëse spitalet dhe klinikat mjekësore në Shqipëri i përmbushin standardet që kërkohen. Vetëm pasi të jenë akredituar, ato mund të aplikojnë për të fituar kartën e autonomisë spitalore. Doktor33 intervistoi drejtorin e agjencisë z. Denis Gjika.

Akreditimi i klinikave mjekësore ka një afat. Çdo 5 vjet duhet të kalosh në sitën e Agjencisë nëse ruan standardet për të qenë i akredituar. Deri më tani u ka mbërritur ftesa për akreditim 60 strukturave shëndetësore. Ndërkohë, janë të akredituara vetëm 36 nga mbi një mijë struktura, si p.sh. spitali "Shefqet Ndroqi", Spitali i Elbasanit, përfshirë edhe disa qendra shëndetësore.

- Çfarë synon kjo agjenci dhe a është ajo e pavarur?

- ASCK-ja u formua disa javë më parë nga bashkimi QCSAISH dhe QKEV. Është një strukturë teknike në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë që iu vjen në ndihmë bordeve të akreditimit dhe MSHMS në proceset e sigurimit dhe përmirësimit të cilësisë në struktura publike dhe jo publike nëpërmjet edukimit në vazhdim të profesionistëve, krijimit e përditësimit të udhërrëfyesve, protokolleve duke mundësuar auditimin klinik; matjen e performancës dhe akreditimin e institucioneve që plotësojnë përveç standardeve bazë edhe standardet optimale në masën 70%, duke ofruar besueshmëri të lartë për publikun.

- Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një klinikë në mënyrë që të akreditohet?

- Standardet optimale kanë të bëjnë me verifikimin e të gjitha atyre gjërave që ne të gjithë duam të kemi në spitalet dhe klinikat mjekësore. Ato janë të veçanta për parësorin dhe spitalorin. Po kështu, të ndryshme për shërbimin spitalor terciar. Janë shumë në fakt, që nga ato bazike që lidhen me fasadën, mjedisin e jashtëm deri te cilësia e aparaturave, kualifikimi i mjekëve që ofrojnë shërbim, menaxhimi i infeksionit spitalor e të tjera e të tjera.

- Cilat standarde do të kontrollohen dhe cilat janë instrumentet?

- Pasi inspektori shëndetësor verifikon standardet bazë, agjencia organizon punën drejt plotësimit të standardeve optimale me trajnime, me dakordësi në çdo hap të procesit me institucionin që po akreditohet.

- Çfarë ndodh me ato klinika apo spitale që nuk i plotësojnë standardet dhe nuk akreditohen?

- Ne do të akreditojmë ato struktura që ofrojnë cilësi optimale dhe e ruajnë atë. Akreditimi është vullnetar. Natyrisht në të ardhmen ato struktura që nuk do të jenë akredituar ende, tregon se duhet të punojnë akoma për të arritur cilësinë që kërkohet dhe do të jetë presioni i qytetarit ai që do ta shtyjë drejt këtij procesi. Nuk ka ndëshkime në këtë proces. Në duam të promovojmë cilësi. Nga ana tjetër jemi duke i dhënë forcën e duhur zërit të qytetarit dhe nëpërmjet indeksit të kënaqshmërisë së pacientit, duke vlerësuar me kujdes si është perceptuar shërbimi nga pacienti.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>