News

shk282023

Prof. Myftar Barbullushi: Pas gurëve në veshka fshihen sëmundje të tjera

14 persona në çdo 100 banorë rezultojnë të jenë me gurë në veshka. Përveç gjenetikës, në shtimin e numri të pacientëve ndikojnë edhe ushqimet apo pijet me konservantë. Por, kjo bëhet edhe më shqetësuese kur 2% e këtyre rasteve janë fëmijë të vegjël. Ndaj, mjekët nefrologë tërheqin vëmendjen e prindërve.

"Një prind që ka fëmijë të vogël duhet të bëjë kujdes me ushqimin e fëmijës duke e mbajtur larg produkteve me shumë kripë, larg të skuqurave, larg pijeve me gaz apo konservantëve të ndryshëm. Kur shfaqen gurët te fëmijët, në 70% të rasteve ata shkojnë në dializë, në mosfunksionim të veshkës", thekson shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT.

Në mënyrë që të mos krijohen gurët në veshka duhet konsumuar shumë ujë apo lëngje, por jo lëngje me sheqer. Sipas një studimi të kryer në klinikën e Nefrologjisë, shqiptarët konsumojnë shumë pak ujë.

"Ne e bëmë një studim dhe rezultoi që shqiptarët kosumojnë deri në 600 ml ujë në ditë. Por, kjo është shumë pak, pasi nevojitet të konsumohet mbi dy litra ujë në ditë. Ndërsa ata të cilët kanë pasur një krizë veshke duhet të konsumojnë patjetër deri në 3 litra ujë në ditë", këshillon prof. dr. Myftar Barbullushi.

Mjekët nefrologë ngrenë alarmin pasi gurët në veshka nuk janë thjesht një dëmtim i veshkave, por pas tyre fshihen sëmundje të tjera.

"Pas zbulimit të gurit në veshka fshihen një sërë sëmundjesh si diabeti, obeziteti, sëmundje të kockave e të tjera, për ne mjekët nefrologë guri në veshka do të thotë një sëmundje sistematike", theksoi prof. dr Barbullushi.

Mënyra e jetesës lidhet me shumë sëmundje të cilat në vendin tonë janë shtuar edhe për shkak të kequshqyerjes.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>