Pediatri

tet132015

Përbërja e mikrobiotës intestinale në fëmijëri parashikon rrezikun për astmë

Foshnjat mund të mbrohen kundër astmës nëse para tre muajve të parë të jetës mikrobiota e tyre intestinale do të përmbante katër lloje specifike bakteresh. Janë këto, shkurtimisht, rezultatet e një studimi të publikuar në "Science Transnational Medicine" që mund të hapin rrugën për strategji të reja parandaluese kundër një sëmundjeje të rrugëve të frymëmarrjes, shpesh alergjike, në rritje konstante. Për t'ia bashkangjitur këtyre rezultateve, studiuesit e koordinuar nga Brett Finlay, profesor i mikrobiologjisë në "University of British Columbia" në Kanada, kanë analizuar kampionet e fekaleve të 319 fëmijëve, duke zbuluar që nëse përpara tre muajve të parë të jetës kishte një deficit të katër llojeve bakteresh intestinale si: Faecalibacterium, Lachnospira, Veillonella dhe Rothia, rreziku për zhvillimin e astmës rritej në mënyrë të konsiderueshme. "Pjesa më e madhe e foshnjave i fiton këto katër shtame në mënyrë natyrale dhe ende nuk është e qartë pse disa nuk e bëjnë", shkruajnë studiuesit duke theksuar dallimet e pakta në përmbajtjen e mikrobiotës te fëmijët mbi 1 vjeç. "Kjo tregon se tre muajt e parë të jetës janë kryesorë për zhvillimin e sistemit imunitar", pohon Finlay. Studiuesit kanë krahasuar vëzhgimet te foshnjat e porsalindura me një studim të bërë mbi kavie, duke zbuluar që simptomat e astmës ishin më pak të rënda te brejtësit që kishin qenë të vaksinuar në lindje me katër llojet e shtameve bakteriale.
"Këto rezultate tregojnë që përbërja e mikrobiotës intestinale luan rol të rëndësishëm në parandalimin e astmës në fazat e fillimit të jetës, domethënë në momentin e formimit të sistemit imunitar" vijon Finlay. "Nga studimi del që përbërja e mikrobiotës te foshnjat është një faktor parashikues i rrezikut të astmës dhe një rrezik i tillë mund të reduktohet ose anulohet duke integruar sërish shtamet bakteriale që mungojnë", komenton në një artikull Maria Gloria Dominguez-Bello nga "Langone Medical Center" në "New York University", duke theksuar se ky zbulim mund të ofrojë një mënyrë të re për të parandaluar një sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes me mundësi fatale për shumë fëmijë.

Sci Transl Med. 2015. doi: 10.1126/scitranslmed.aab2271
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26424567

Sci Transl Med. 2015. doi: 10.1126/scitranslmed.aad2741
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26424565

Përktheu: Valbona Spahia


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>