Pediatri

pri42018

Përhapet gjithnjë e më shumë sekstingu mes adoleshentëve. Studiuesit kërkojnë ndërhyrje për t'iu bërë të qarta pasojat

Mesatarisht, 15% e adoleshentëve dërgojnë mesazhe erotike, seksting, siç quhen në anglisht dhe thuajse 30% e tyre thonë se kanë marrë të tilla, sipas një metanalize të publikuar në "JAMA Pediatrics" dhe të koordinuar nga Sheri Madigan, profesore e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Kalgarit.

"Me shpërndarjen e smartfonëve, videot dhe tekstet me sfond seksual, janë bërë një shprehje normale e seksualitetit mes të rinjve", thotë kërkuesja, duke kujtuar se sekstingu është i përhapur në SHBA dhe në Europë. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, sipas statistikave të shpërndara nga Childline në vitin 2013, një adoleshent në katër dërgon imazhe ose video të trupit të tij gjatë sjelljeve të hapura seksuale. Në Itali, nga një studim i Telefono Azzurro e Doxa Kids i vitit 2014, ka dalë se 35,9% e të rinjve të intervistuar, njeh dikë që ka bërë seksting.

"Gjithsesi, mungojnë disa të dhëna për frekuencën e këtij lloj komunikimi mes të rinjve", vazhdon Madigani, që së bashku me kolegët, ka rishikuar literaturën në fjalë nga viti 1990 deri në vitin 2016, duke zgjedhur 39 studime të kryera mbi 110,380 pjesëmarrës me moshë mesatare 15 vjeçare, për të matur frekuencën e dërgimit dhe marrjes së seksteve, me ose pa pëlqim. Rezultatet tregojnë se përhapja mesatare e dërgimit dhe marrjes së mesazheve, fotove ose videove erotike është respektivisht 14.8% dhe 27.4%, me një rritje të drejtpërdrejtë të lidhur me rritjen e periudhës së adoleshencës dhe përdorimin e pajisjeve të lëvizshme, ndryshe nga ç'ndodhte më parë me kompjuterët. Të rëndësishme janë edhe sekstet e dërguara dhe të pranuara pa pëlqim, me një përqindje respektivisht prej 12% dhe 8.4%.

"Këto të dhëna tregojnë se sekstingu gjatë adoleshencës është shtuar gjatë viteve të fundit, sidomos mes fëmijëve më të rritur. Por, jo vetëm kaq: nevojiten kërkime të tjera mbi sekstingun pa pëlqim për t'i adresuar në mënyrën e duhur ndërhyrjet edukuese dhe veprimet që duhen ndërmarrë për këtë qëllim", thotë në editorialin e saj Elizabeth Englander (Universiteti i Shtetit, Masaçusets). Ndërsa Megan Moreno, profesore e asociuar e pediatrisë në Universitetin e Uashingtonit, shton në "Patient Page" të të njëjtit numër të "JAMA Pediatrics": "Me anë të sekstingut, adoleshentët duan të tërheqin vëmendje, qoftë edhe për të kapërcyer vështirësitë e lidhjeve dhe ndjenjën e vetmisë, pa qenë të ndërgjegjshëm për pasojat e mundshme që mund të ketë kjo në jetën e tyre, në terma afatgjatë dhe afatshkurtër".

 

JAMA Pediatr. 2018. doi: 10.1001/jamapediatrics.2017.5314
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29482215

JAMA Pediatr. 2018. doi: 10.1001/jamapediatrics.2017.5682
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29482201

JAMA Pediatr. 2018. doi: 10.1001/jamapediatrics.2017.5745
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29482224


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>