Pediatri

maj202019

Bie vdekshmëria infantile. Ja, cilat janë shifrat e përditësuara

Vdekja e fëmijëve dhe adoleshentëve ka rënë më shumë se 50% nga viti 1990 deri në vitin 2017, sipas rezultateve të një analize të bazuar mbi të dhënat e "Global Burden of Diseases, Injuries and Risk Factors 2017 Study" dhe të publikuar në "JAMA Pediatrics".
Ky përparim sugjeron se tashmë, fëmijët kanë probabilitetin më të madh për ta arritur ditëlindjen e tyre të njëzetë, në krahasim me çdo periudhë tjetër të së shkuarës. Por, për fat të keq, ka ende shumë për të bërë, veçanërisht në lidhje me heterogjenitetin e rezultateve nga pikëpamja socio-ekonomike, dhe me reflektim gjeografik.
"Ndërkohë që përmirësimet e normës së vdekshmërisë së fëmijëve me moshë më të vogël se 5 vjeç kanë qenë në mënyrë të pamohueshme thelbësore dhe pozitive, historia e plotë e shëndetit të fëmijëve dhe adoleshentëve është më e sfumuar dhe heterogjene, me një gamë karakteristikash dukshëm më të gjera nga ç'mund të tregohet me një sintezë të vetme statistikore", thotë Nicholas Kassebaum (Universiteti i Uashingtonit), autor kryesor i punimit.

Kërkuesit kanë vlerësuar vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë e fëmijëve dhe adoleshentëve nga viti 1990 deri në 2017 në 195 vende e territore dhe kanë vënë re një ulje me 51,7% të vdekjeve të popullsisë së marrë në konsideratë gjatë periudhës së studimit, që arritën nga 13,77 milionë vdekje në vitin 1990, në 6,64 milionë në vitin 2017. Fëmijët dhe adoleshentët në zonat me indeks socio-demografik (SDI) të ulët dhe mesatar/të ulët kanë paraqitur 82,2% të të gjitha vdekjeve gjatë periudhës së studimit.

Edhe pse vdekjet janë ulur ndjeshëm, aftësia e kufizuar kumulative është rritur me 4,7%, duke arritur 145 milionë vite të jetuara me aftësi të kufizuar në të gjithë botën. Ekspertët nënvizojnë edhe se Shtetet e Bashkuara janë një nga tetë vendet në të cilat rënia e vdekshmërisë infantile dhe e adoleshentëve nuk është shoqëruar me reduktimin e vdekshmërisë së nënave. Kjo tendencë divergjente është ndeshur edhe në Samoan amerikane, në Kanada, në Greqi, në Guam, në Xhamajkë, në St. Vincent dhe Grenadine e në Zimbabve, por ndërmjet të gjitha vendeve, çuditërisht, ka qenë pikërisht SHBA-ja që ka regjistruar rritjen më të madhe të normës së vdekshmërisë së nënave.

"Zbulimet tona janë veçanërisht alarmuese sepse shëndeti i fëmijëve lidhet ngushtë me atë të nënave të tyre. Ky paradoks meriton një shqyrtim më të thelluar në Shtetet e Bashkuara, për të përcaktuar se si mund t'i japim prioritet përmirësimit të shëndetit për nënat, krahas atij për fëmijët dhe adoleshentët", konfirmon Kassebaum.

Autorët shpresojnë që komuniteti global të impenjohet për një llogaritje sistematike të faktorëve lëvizës dhe të pasojave që kanë rezultatet negative afatgjata të shëndetit duke nisur nga fëmijëria, si edhe të efekteve që ka sëmundshmëria afatgjatë në sistemet shëndetësore dhe në kapitalin human, duke garantuar që asnjë popullsi nuk do të lihet pas dore. "Një monitorim i vazhdueshëm i shëndetit në moshë pediatrike është thelbësor për të ruajtur përmirësimin e 27 viteve të fundit. Vetëm kështu mund ta përshpejtojmë progresin", përfundojnë autorët.


JAMA Pediatr. 2019. doi: 10.1001/jamapediatrics.2019.0337
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31034019


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>