Pediatri

qer172019

Fekondimi in vitro lidhet me një shtim të lehtë të tumoreve të rralla infantile

Sipas një studimi të ri, të publikuar në "JAMA Pediatrics", ekziston një lidhje ndërmjet fekondimit in vitro (FIV) dhe kancerit në moshë infantile (edhe pse lidhja është e zbehtë dhe e limituar te tumoret e rralla), që mund të justifikonte ekzaminimet për fillimin e kancerit ndërmjet fëmijëve të ngjizur në këtë mënyrë.
Megjithatë, sipas ekspertëve, prindërit nuk duhet të shqetësohen shumë. "Nuk jemi ndeshur me asnjë indikacion që tregon se ndonjë procedurë specifike fekondimi in vitro mund të jetë e lidhur me këto tumore, pra, mjekët apo pacientët nuk kanë se pse të bëjnë ndryshe", shpjegon Logan Spector (Universiteti i Minnesota në Minneapolis), autor kryesor i studimit.

"Në tërësi, rezultatet tona duhet të sigurojnë prindërit që kanë pasur fëmijë me këtë metodikë", vijon ai. Kërkuesit kanë ekzaminuar të dhënat e 275.686 fëmijëve të ngjizur me FIV dhe 2,27 milionë fëmijëve të ngjizur në mënyrë natyrale nga viti 2004 deri në vitin 2013, duke i ndjekur për rreth 4 vjet e gjysmë, gjatë të cilave janë zbuluar 321 tumore ndërmjet fëmijëve të lindur me FIV dhe 2.042 tumore ndërmjet fëmijëve të tjerë. Kjo është përkthyer si një incidencë me 0,1% ndërmjet fëmijëve të lindur me FIV dhe me 0,09%, ndërmjet fëmijëve të ngjizur në mënyrë natyrale. Në veçanti, fëmijët e ngjizur duke përdorur fekondimin in vitro, kishin 28% më shumë probabilitet se fëmijët e tjerë, që të merrnin një diagnozë të tumoreve embrionale dhe kjo rritje e riskut është përcaktuar kryesisht nga një normë më e lartë e tumoreve hepatike, që janë paraqitur me më shumë se dyfishin e probabilitetit, në krahasim me grupin e kontrollit. Fëmijët e ngjizur me FIV, kanë shfaqur edhe 41% më shumë probabilitet për të zhvilluar tumore embrionale të sistemit nervor qendror dhe më shumë se dyfishin e probabilitetit për të zhvilluar tumore me qeliza germinale.

Në përgjithësi, te fëmijët e ngjizur me FIV është observuar probabilitet 17% më i lartë për të zhvilluar kancerin. Sipas ekspertëve, shtimi i riskut për kancer mund të ndodhë të paktën pjesërisht për shkak të moshës së madhe të nënës si edhe faktorëve të tjerë të shëndetit, që i shtyjnë gratë drejt përdorimit të FIV-it. "Megjithatë, studimi ynë nuk kishte si qëllim që të tregonte se si FIV-i mund ta shkaktojë drejtpërdrejt kancerin", përfundojnë autorët.


JAMA Pediatr. 2019. doi: 10.1001/jamapediatrics.2019.0392
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30933244


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>