Pediatri

kor32019

Varësia nga video lojërat, është zyrtarisht sëmundje!

Nga fillimi i janarit të vitit 2022, do të hyjë në fuqi përditësimi i Klasifikimit Statistik Ndërkombëtar të Sëmundjeve dhe Problemeve Shëndetësore të lidhura me to, (ICD-11) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH); që do të përmbajë përkufizime dhe kode për më shumë se 55 mijë sëmundje dhe gjendje patologjike, mes të cilave, për herë të parë, do të hyjë edhe çrregullimi i lojërave (gaming disorder), varësia nga video lojërat.

Në Itali, një nga ekspertët më të mëdhenj të temës është Emilio Sacchetti, president i zgjedhur i Akademisë Italiane të Shkencave mbi Varësitë e Sjelljes (AISDiCo), shoqatë e lindur një vit më parë nga një interes specifik "ndaj të gjitha formave të varësisë, që përfshijnë një dëshirë të pandalshme apo kompulsion për t'u përfshirë në një sjellje në të cilën merr një shpërblim dhe të palidhur domosdoshmërisht me përdorimin e drogave apo substancave psikoaktive". Është e qartë se kjo fjali përshkruan në mënyrë të përsosur të luajturit (gaming), por edhe bixhozin (gambling), ose lojërat e fatit normal dhe patologjik, që është shumë i njohur dhe i studiuar.

"Dy sjelljet janë të ngjashme, thotë Sacchetti dhe në disa raste të çojnë në patologji. Në lojërat e fatit vlerësohet se kjo ndodh në 1-1,5% të rasteve dhe ka të ngjarë që për video lojërat, përqindja të jetë e ngjashme, ndonëse nuk është bërë ndonjë vlerësim i besueshëm".
Çrregullimi patologjik i lojërave përcaktohet nga OBSH-ja si "një seri sjelljesh të vazhdueshme ose të përsëritura në lidhje me lojërat, si në internet ashtu edhe offline, të manifestuara nga: mungesa e kontrollit, një prirje gjithnjë në rritje për t'u dhënë pas lojës, deri në pikën që kjo të bëhet më e rëndësishme sesa aktivitetet e përditshme dhe interesat e jetës, një përshkallëzim i vazhdueshëm i lojërave, pavarësisht nga pasojat negative personale, familjare, sociale, arsimore, në punësim apo në fusha të tjera të rëndësishme". Sipas OBSH-së, sjellja duhet të konsiderohet patologjike kur përsëritet për 12 muaj, por "kohëzgjatja mund të jetë më e vogël nëse plotësohen të gjitha kërkesat diagnostikuese dhe simptomat janë të rënda".

Sacchetti shpjegon se ndërhyrja më efektive është ajo parandaluese: "Përmes edukimit, është e nevojshme që fëmijët të bëjnë të tyren një qasje racionale dhe jo të tepruar ndaj lojës. Shpesh, rreziku është nënvlerësuar, por adoleshentët janë sigurisht grupmosha më e ekspozuar".
Lidhur me trajtimin, nuk ka udhëzime ose protokolle të pranuara universale: "Ne ende nuk kemi shumë studime dhe trajtimet janë përgjithësisht psikoterapeutike, kryesisht me një qasje konjitive të sjelljes". Ka edhe klinika të detoksifikimit në Itali, por Sacchetti kërkon kujdes: "Shumë vetëdeklarohen si ekspertë, por në realitet nuk mund të ofrojnë asgjë më shumë se çdo profesionist i mirë, pikërisht për shkak se dëshmitë ende duhet të ndërtohen; unë do t'iu kushtoja vëmendje edhe kostove, pasi nëse janë shumë të larta, ka gjasa që rezultati të mos i justifikojë ato".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>