Pediatri

kor52019

Tretësit gjatë shtatzënisë, autizmi dhe lidhja që mund të ekzistojë mes tyre

Ekspozimi i nënës së ardhshme ndaj tretësve (angl. solvents) në vendin e punës mund të rrisë rrezikun që fëmija të zhvillojë një çrregullim të spektrit të autizmit, sipas autorëve të një studimi të botuar në "Occupational & Environmental Medicine".
"Rezultatet tona i shtohen një numri gjithnjë e më të madh provash që flasin për një lidhje të mundshme midis faktorëve të mjedisit dhe të punës me zhvillimin e autizmit, por ne gjithsesi, duhet t'i interpretojmë ato me kujdes", thotë Erin McCanlies (Instituti Kombëtar për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Morgantaun, SHBA), që ka kryesuar grupin e punës.

Shpejtësia me të cilën është shtuar numri i rasteve të reja të autizmit tregon se mund të përfshihen faktorë të tjerë përveç gjeneve dhe disa studime kanë propozuar mundësinë që të ekzistojnë lidhje me ekspozimin ndaj kimikateve dhe ndotësve mjedisorë, para lindjes së fëmijës. Duke përdorur të dhënat e mbledhura për studimin Childhood Autism Risks from Genetics and Environment (CHARGE), që përfshinin informacione personale mbi shëndetin dhe historinë profesionale të prindërve të 537 fëmijëve me diagnozë formale të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe 414 fëmijëve me zhvillim neurologjik tipik, hulumtuesit kanë vlerësuar intensitetin dhe frekuencën e ekspozimit për 750 nëna dhe 891 baballarë ndaj 16 agjentëve që kanë qenë të lidhur me anomalitë neurologjike ose kongjenitale nga tre muaj para shtatzënisë, deri në lindjen e fëmijës.

Këto përfshinin barna, metale, pesticide, anestetikë, asfalt, solucion frenash, plastikë dhe polimere, rrezatim, detergjentë e dezinfektues, si dhe tretës. Ekspozimet më të zakonshme profesionale mes nënave përfshinin dezinfektues ose detergjentë, tretës dhe oksid etileni, ndërsa ato më pak të zakonshme ishin perkloratet, asfalti, bifenilet e poliklorinuara dhe lëngjet e makinerive.
Për baballarët, ekspozimi më i zakonshëm në punë përfshinte dezinfektues ose detergjentë, tretës dhe metale, ndërsa ato më pak të zakonshme ishin perkloratet, bifenilet e poliklorinuara dhe asfalti. Analiza e të dhënave tregoi se nënat me fëmijë autikë ishin ekspozuar ndaj tretësve më shpesh se ato, fëmijët e të cilave nuk e kishin këtë diagnozë. Mundësia e grave të ekspozuara që të kishin një fëmijë autik ishte 1.5 herë më e lartë se e atyre që nuk ishin të ekspozuara. Asnjë nga agjentët e tjerë nuk u shoqërua me një rrezik në rritje dhe pas korrigjimit të gabimeve statistikore, asociacioni i vërejtur nuk ishte më i rëndësishëm, megjithatë autorët besojnë se tema ka nevojë për studime të mëtejshme.


Occup Environ Med. 2019. doi: 10.1136/oemed-2018-105395
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31248991


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>