Pediatri

sht302019

Heqja e qumështit të gjirit. Sipas EFSA-s, ja çasti i duhur për të nisur ushqimin

Komisioni Evropian i ka kërkuar EFSA-s, Autoritetit Evropian të Sigurisë së Ushqimit, një mendim mbi përcaktimin e moshës së duhur për t'u nisur bebeve ushqime të ndryshme nga qumështi (me bazë drithërash dhe ushqime të tjera, të përpunuara për fëmijë). Ky është ai që quhet ushqim plotësues, sepse duhet të integrojë në dietën e të vegjëlve lëndët ushqyese që mbështesin rritjen rreth moshës 6-8-muajshe e tutje.

Por, kujdes: këtu nuk bëhet fjalë për të përcaktuar kohëzgjatjen e ushqyerjes me gji. OKB-ja dhe organizatat kryesore shkencore në të vërtetë pajtohen në faktin që fëmija duhet të ushqehet me gji të paktën deri në moshën dyvjeçare. Substancat që merren nga qumështi i gjirit (ose nga zëvendësuesi i tij, në rast se përdorimi i këtij të fundit do të ishte i domosdoshëm) vazhdojnë të jenë të rëndësishme, por nga mosha 6-8-muajshe e më tej, ato nuk janë më të mjaftueshme në mënyrë sasiore për të mbështetur rritjen e fëmijës, kështu që është e nevojshme të kompensohen me ushqyerjen konvencionale. Prandaj, kërkesa për një vlerësim shkencor duhet të mbështesë dhe të saktësojë moshën që sugjerohet te produkti dhe që tregohet në etiketë në produkte specifike për fëmijët, tashmë në shitje në BE.

Këtë e ka bërë të ditur EFSA, në një deklaratë. Nga analiza e rreth 300 studimeve, paneli i ekspertëve shkencorë për ushqimet e reja dhe alergjenet ushqimore (NDA: Novel Foods and Food Allergens) arriti në përfundimin se futja e ushqimeve të ngurta, varet nga një sërë faktorësh subjektivë, që e bëjnë të vështirë përcaktimin e një moshe të përshtatshme për të gjithë, pa mëdyshje.

 

Atëherë, si ta kuptojmë cili është momenti për të nisur ushqimet e reja?

Konkluzioni i përgjithshëm është se kjo varet nga karakteristikat dhe nga zhvillimi i fëmijës, sidomos në rastin e fëmijëve të parakohshëm. Në fakt, mungojnë të dhëna të mjaftueshme (dhe të referueshme në kontekstin europian), për të përcaktuar moshën e saktë. E sigurt është që, deri në muajin e gjashtë, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk ka nevojë për shtimin e ushqimeve të tjera, veç qumështit të nënës (apo qumështit që e zëvendëson atë) sepse ky burim siguron ato për të cilat ai ka nevojë (me përjashtim të disa të sapolindurve të ushqyer ekskluzivisht me gji, që rrezikohen për mungesë hekuri). Flitet kështu për një "dritare", një periudhë kohe që e vendos momentin ideal të futjes së ushqimeve të ndryshme nga qumështi pas 3-4 muajsh dhe pas 6 muajsh dhe që varet nga karakteristikat e nga niveli i zhvillimit të çdo fëmije.
Ekspertët nënvizojnë se duhet thënë gjithashtu që pjekuria dhe zhvillimi i aftësive të nevojshme dhe i kompetencave për t'u ushqyer me përbërës të ngurtë, që zakonisht manifestohen rreth moshës 6-muajshe, si për shembull, qëndrimi ulur dhe aftësia për ta mbajtur mirë kokën, ose përtypja dhe gëlltitja e ushqimit në mënyrën e duhur, nuk do të  thotë, sidoqoftë, se është e nevojshme të kalohet në një ushqyerje plotësuese.

Me pak fjalë, nuk ka prova të veçanta, as në favor dhe as kundër futjes së ushqimeve të ngurta para moshës 6-muajshe: kjo as do të ishte e dëmshme, por as do të sillte përfitime të veçanta, përfundojnë ekspertët. Vlerësimi duhet bërë në bazë të zhvillimit dhe kërkesave të çdo fëmije në veçanti.

Veçanërisht, dy aspekte meritojnë të kihen parasysh dhe ato kanë të bëjnë me alergjenet dhe glutinën që ka lidhje me celiakinë.
Sa iu përket vezës, drithërave, peshkut dhe kikirikëve, pra, përgjithësisht të gjitha ushqimet që mund të shkaktojnë alergji, nuk ka prova që të tregojnë se futja e tyre e hershme shton rrezikun për të zhvilluar alergji dhe se, futja e mëvonshme, e ul këtë rrezik. Kështu, ato mund të futen bashkë me ushqime të tjera.

Edhe për glutinën nuk ka prova në lidhje me efektet pozitive apo negative se futja e ushqimeve që e përmbajnë, ndodh para gjashtë muajve të jetës.
E rëndësishme, pra, nëse merret vendimi për të nisur futjen e ushqimeve të ndryshme nga qumështi, pasi është folur me pediatrin, është që ato të kenë trashësinë e duhur (për të evituar mbytjen), të jenë të duhurat nga ana e vlerave ushqimore dhe në përputhje me rekomandimet ushqimore kombëtare (para mbushjes së vitit të parë të jetës, evitoni kripërat, sheqerin, qumështin e pamodifikuar të lopës) dhe që të pranohen mirë nga fëmija.

 

Francesca De Vecchi


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>