Pediatri

pri142020

Fëmijët dhe coronavirusi. Në Spanjë konfirmohen tendencat kineze

Një analizë e bërë në Spanjë dhe e publikuar si një punim kërkimor në "Jama Pediatrics", ka zbuluar se përqindja e fëmijëve me Covid-19 mes atyre me simptoma të pajtueshme është 11%.
"Lajmet që kanë lidhje me fëmijët në këtë situatë janë në rritje, por ende të dobëta. Ne kemi dashur të bëjmë një përmbledhje të përqindjes së rasteve të konfirmuara mes atyre që testohen dhe ashpërsisë së sëmundjes te fëmijët. Kjo është arsyeja pse kemi studiuar 365 rastet e testuara nga pediatër në 30 spitale sekondare dhe terciare në Madrid, gjatë dy javëve të para të epidemisë", thotë Alfredo Tagarro, nga Universiteti i Evropës në Madrid, autori kryesor i punimit.

Fëmijët u kontrolluan sipas rekomandimeve të përgjegjësve të shëndetit publik në Spanjë, duke përfshirë kështu rastet simptomatike ose ato që kërkojnë shtrimin në spital. Diagnostikimet fillestare për të cilat pacientët arritën të testoheshin ishin 14 raste infeksione të rrugëve të sipërme të ajrit, 11 raste temperature pa ndonjë shkak të identifikueshëm, 6 pneumoni virale, 5 bronkiolite, 2 raste gastroenteriti ose të vjellash, 2 pneumoni bakteriale dhe 1 rast me shpërthim të astmës. Dy fëmijë kishin një bashkë-infeksion me virusin e gripit B.
Gjatë javës së parë, gjashtë nga 103 fëmijë (5.8%) rezultuan pozitivë, ndërsa në fund të javës së dytë kjo shifër u rrit në 41 nga 365 pacientë (11.2%), e barabartë me 0.8% të 4,695 rasteve të përgjithshme të infeksionit në rajonin e Madridit. Mosha mesatare e pacientëve të testuar ishte tre vjeç dhe mosha mesatare e pacientëve me rezultate pozitive ishte 1 vjeç.
Hospitalizimi u bë për 25 nga 41 fëmijë me Covid-19 të konfirmuar dhe katër nga 41 e patën të nevojshme të futeshin në një njësi të kujdesit intensiv pediatrik. Nga këta, një në katër kishte vetëm një sëmundje të mëparshme (frymëmarrje me fërshëllimë, të përsëritur). Asnjë fëmijë nuk ka ndërruar jetë.

Sipas autorëve, rezultatet konfirmojnë ato të botuara më parë në zona të tjera të botës në lidhje me përqindjen e pacientëve të infektuar nën moshën 19-vjeçare, ndërsa në lidhje me shtrimet në spital, ata nënvizojnë se përqindja mund të jetë shtrembëruar nga politika sipas së cilës, fëmijëve u janë bërë teste që nuk lejonin dallimin e rasteve më të buta ose asimptomatike. Ekspertët tregojnë gjithashtu se ndjeshmëria e testit është një kufizim tjetër i studimit.

 

Jama Pediatrics 2020. Doi: 10.1001/jamapediatrics.2020.1346
https://jamanetwork.com/journals/jamapediatrics/fullarticle/2764394


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>