Focus

maj152024

Valët e të nxehtit. Studimi botëror mbi vdekshmërinë

Në kuadër të vëmendjes së shtuar që po i kushtohet ndikimit të ndryshimit klimatik mbi shëndetin publik, në studimin e kryer nga Universiteti i Melburnit në bashkëpunim me Universitetin Shandong, kanë rezultuar evidenca të reja rreth efektit që kanë pasur valët e të nxehtit në vdekshmëri në vitet 1990-2019.

Krahasuar me periudhën 1850-1990, temperatura sipërfaqësore botërore është rritur me 1.14°C në periudhën 2013-2022, si edhe parashikohet një rritje prej 0.41-3.41°C brenda 2081-2100. Me rritjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike, valët e të nxehtit nuk po shtohen vetëm në shpeshtësi, por edhe në ashpërsi dhe masë.

Thelbi i studimit qëndron në analizimin e të dhënave ditore që lidhen me numrin e vdekjeve dhe temperaturën, të grumbulluara nga 750 rajone në 43 vende, duke përdorur një përkufizim specifik të valës së të nxehtit, që bazohet në temperaturën mesatare ditore mbi përqindjen e 95-të të intervalit të temperaturës vjetore për të paktën dy ditë të njëpasnjëshme. Analiza zbuloi se, gjatë stinëve të nxehta të periudhës 1990-2019, afro 0.94% e numrit total të vdekjeve lidhej drejtpërdrejt me valët e të nxehtit, pra 153.078 të vdekur çdo vit, ose ndryshe 236 të vdekur për çdo 10 milionë banorë.
Këto të dhëna konfirmojnë ndikimin e madh të valëve të të nxehtit mbi numrin e vdekjeve në botë, si dhe evidentojnë pabarazi të dukshme gjeografike. Në veçanti, në rajonet e Evropës perëndimore dhe lindore, si dhe në zona të caktuara me klima polare dhe alpine, normat e vdekshmërisë së lidhur me valët e të nxehtit janë më të larta, ndërsa në rajonet me klima tropikale, apo me të ardhura më të ulëta janë regjistruar rënie më të mëdha në tre dekada.

Këto informacione janë thelbësore për qeveritë gjatë planifikimit të përshtatjes në shkallë lokale, si edhe gjatë menaxhimit të rrezikut, veçanërisht kur ka pabarazi të mëdha socio-ekonomike dhe shëndetësore. Pavarësisht spektrit të gjerë të të dhënave të analizuara, autorët e sinjalizojnë mungesën e të dhënave për disa rajone të rëndësishme, të tilla si gadishulli Arab dhe Azia perëndimore, si kufizim kryesor të studimit.

"Rezultatet tona, sipas së cilave valët e të nxehtit shoqërohen me një ngarkesë të konsiderueshme të ndryshueshme të vdekshmërisë në të gjithë botën gjatë 30 viteve të fundit, sugjerojnë nevojën për një planifikim lokal të përshtatjes dhe një menaxhim të rrezikut në të gjitha nivelet e qeverisjes", përfundon autori kryesor i studimit, Yuming Guo.

Si përfundim, studimi ofron një bazë të qëndrueshme për të kuptuar më mirë se si ndikojnë aktualisht e si do të ndikojnë në të ardhmen valët e të nxehtit në numrin e vdekjeve në botë. Këto rezultate theksojnë rëndësinë e një vendimi qeveritar, në mënyrë që të synohet fuqizimi i përshtatjes dhe i qëndrueshmërisë së sektorit shëndetësor, duke marrë në konsideratë pabarazitë ndërmjet komuniteteve.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>