Gjinekologji

tet82015

Hpv gjenitale edhe në mungesë të aktivitetit seksual

tags: HPV

Human Papillomavirus (Hpv) gjenital konsiderohet si seksualisht i transmetueshëm, por sipas një studimi të publikuar në "Journal of Pediatric and Adolescent Gyneology", nga Hpv-të gjenitale janë prekur dhe një numër i vogël vajzash në moshë para pubertetit dhe adoleshente jo seksualisht aktive. "Mbi bazën e këtyre rezultateve protokollet e vaksinimit duhen rivlerësuar", shprehet autori Athanasios Michos i Universitetit të Athinës në Greqi, duke nënvijëzuar se pothuajse asnjë nga pjesëmarrëset nuk ishte vaksinuar për Hpv. Studimi ka përfshirë 95 vajza: 38 adoleshente seksualisht aktive me moshë mesatare 16 vjeç; 28 vajza jo seksualisht aktive me moshë mesatare 13 vjeç dhe 29 vajza të vogla në moshë para pubertetit me moshë mesatare 8 vjeç.
Të gjitha vajzave iu mor një kampion vaginal ose i qafës së mitrës, të cilët më pas u vlerësuan për Hpv dhe anomali citologjike. "Pothuajse të gjitha adoleshentet që kishin thënë se ishin seksualisht aktive kanë konsultuar gjinekologun për një test vjetor rutinë ndërsa pjesa më e madhe e vajzave jo seksualisht aktive dhe e vajzave të vogla janë paraqitur me simptoma vulvovaginiti", shkruajnë kërkuesit, të cilët kanë zbuluar prezencën e Hpv-së gjenitale në 52.6% të adoleshenteve seksualisht aktive, në 25% të atyre jo seksualisht aktive dhe në 34.5% të rasteve në vajzat e vogla në moshë para pubertetit. Shtamet me risk të lartë mes të cilave Hpv-16, 31, 35 dhe 53, janë identifikuar respektivisht në 47.4 %; në 25% dhe në 24.1% të rasteve në të tre grupet e studiuara.
"Aktiviteti seksual lidhet me një shtim të rrezikut për infeksion nga Hpv-ja gjenitale, që rezulton më shume se e trefishuar, ndërkohë që dyfishohet dhe nga histori familjare pozitive", saktësojnë kërkuesit, duke shpjeguar se kanë vëzhguar lytha gjenitale në momentin e vizitës, respektivisht në 10.5%, në 3.6% dhe në 10.3% të rasteve në të tre grupet. "Ndonëse kontakti seksual është një shkak i mundshëm për transmetimin e Hpv-ve, sidomos te fëmijët viktima të abuzimeve seksuale, shkaqe të tjera mbeten hipotetike, midis tyre dhe transmetimi perinatal dhe auto/eteroinokulacioni", hamendësojnë autorët, duke nënvizuar se Hpv mund të zbulohet te të porsalindurit dhe te fëmijët në indet gojore dhe tonsilare, në lëkurë, në lavazhin bronkoalveolar ose anogjenital dhe në indet vaginale apo të qafës së mitrës. "Këto rezultate nënvijëzojnë rrezikun e rëndësishëm për Hpv gjenitale në moshë të re si dhe rëndësinë e parandalimit primar me vaksinim të hershëm", përfundon Michos.

J Pediatr Adolesc Gynecol. 2015. doi: 10.1016/j.jpag.2015.08.010
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26342734

Përktheu: Erjola Taga


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>