Gjinekologji

shk32020

Menopauza e parakohshme natyrale, mund të favorizojë zhvillimin e polimorbiditetit

Sipas një studimi të publikuar në "Human Reproduction", gratë që vuajnë nga menopauza e parakohshme natyrale, kanë tre herë më shumë mundësi për të zhvilluar një sërë problemesh mjekësore e kronike rreth moshës 60-vjeçare, krahasuar me gratë që hyjnë në menopauzë në moshën 50-51-vjeçare.

"Dihet tashmë se menopauza e parakohshme, domethënë ajo që ndodh në moshën 40 vjeçe ose më pak, është e lidhur me një sërë problemesh mjekësore, siç janë sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti, më vonë në jetë. Sidoqoftë, ka pak informacione në lidhje me faktin se ekziston edhe një lidhje midis kohës së hyrjes në menopauzën natyrale dhe zhvillimit të gjendjeve të shumta mjekësore, ose një polimorbiditeti", shpjegon Xiaolin Xu (Universiteti i Kuinslandit, Brisbane, Australi), autori kryesor i studimit.

Kërkuesit kanë përdorur të dhënat e 5.107 grave që kishin marrë pjesë në një studim perspektiv australian, në të cilin, pjesëmarrëset iu përgjigjën një sondazhi të parë në 1996-ën dhe më pas, çdo tre vjet, deri në vitin 2016. Gratë raportuan diagnozë ose trajtim për diabet, hipertension, sëmundje të zemrës, iktus, artrit, osteoporozë, astmë, sëmundje pulmonare obstruktive kronike, depresion, ankth ose kancer të gjirit dhe janë konsideruar të prekura nga polimorbiditeti, nëse kishin dy ose më shumë patologji. Gjatë 20 viteve të ndjekjes, 2.3% e grave hynë në menopauzë para kohe dhe 55% zhvilluan polimorbiditet. Në krahasim me gratë që hynë në menopauzë në moshën 50-51 vjeçe, gratë me menopauzë të parakohshme kishin dy herë më shumë të ngjarë të zhvillonin polimorbiditet në moshën 60-vjeçare dhe tri herë më shumë të ngjarë të zhvillonin polimorbiditet nga mosha 60 vjeçe e tutje. Menopauza e hershme mbeti e shoqëruar me një rrezik të shtuar për zhvillim të polimorbiditetit edhe pas rregullimit sipas patologjive kronike paraekzistuese dhe sipas faktorëve ngatërrues të mundshëm, të tillë si të pasurit fëmijë, niveli arsimor, indeksi i masës trupore, pirja e duhanit dhe aktiviteti fizik.

"Ndonëse studimi ynë nuk tregon se menopauza e parakohshme shkakton zhvillimin e polimorbiditetit, por vetëm se ekziston një lidhje me të, u sugjerojmë operatorëve shëndetësorë të ofrojnë një shërbim të plotë skrinimi dhe vlerësimi të faktorëve të rrezikut në trajtimin e grave në menopauzë të parakohshme natyrale, për të vlerësuar rrezikun e polimorbiditetit", përfundojnë autorët.

 

Human Reproduction 2020. Doi: 10.1093/humrep/dez259
https://dx.doi.org/10.1093/humrep/dez259


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>