News

tet312014

Pasqyrë e punimeve të konferencës mbi impaktin e teknologjive të reja në shëndetësi

Ditën e djeshme, në ambientet e Hotel Sheraton Tirana, LIFE Sh.p.k organizoi konferencën: Sistemi shëndetësor në Shqipëri dhe teknologjitë e reja, revolucion në përditësim dhe komunikim. LIFE është një ndërmarrje shqiptare që operon prej disa muajsh në tregun shqiptarë, pjesë e EDRA LSWR, e cila është një ndër grupet editorial më të mëdhenj në Itali, e specializuar në botimet shkencore për profesionistët e shëndetit. Të ftuar në konferencë ishin edhe ambasadori italian në Shqipëri z. Massimo Gaiani si dhe figura të shquara të Shëndetësisë shqiptare, si  Prof. Din Abazaj, Prof. Myftar Barbullushi, Dr. Ariel Çomo, Prof.As Suela Këlliçi, Prof. As. Arian Harxhi, Prof. Arian Jaupllari.
Konferencën e çeli CEO i Edra LSWR, Roberto Frassinelli i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit shprehu dëshirën e tij për ta parë Shqipërinë si një partner të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj kompanie, duke ruajtur vlerat me të cilat Edra është themeluar. " Edra LSWR është e vendosur të ruaj po atë kod etik dhe transparencë në punën e saj, sikundër bënë prej vitesh në Itali. Qëllimi ynë është tu paraqesim njohuri profesionistëve, të cilat edhe të mund ti çertifikojmë.  Së fundmi kemi vendosur të bashkëpunojmë me një ortak shqiptar, LFE Sh.p.k, e cila ka ambicien të shndërrohet në një botues rajonal, dhe të jetë në Shqipëri një pikë referimi për të gjithë profesionistët e shëndetit", përfundoi ai.
Presidenti i grupit editorial Edra LSWR, Giorgio Albonetti gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se LIFE përbën një partner dhe një mundësi të madhe për kompaninë. "Puna jonë ka nisur me L'informatore Farmaceutico (informatori farmaceutik) i cili shitet në Itali prej mëse 60 vjetësh. Ne duam të sjellim edhe në Shqipëri një informues të tillë. Codifa në Itali përbën një ndër librat më të konsultuar, me më shumë se 300 mijë kopje të shitura. Këtë eksperiencë tonën ne duam t'ia përcjellim edhe partnerit tonë shqiptarë. Ajo që ne synojmë është të krijojmë bankën e të dhënave shqiptare duke shpresuar se vitin që vjen do të sjellim Codifa-n në shqip. Në Itali publikojmë online tre gazeta të përditshme Doctor 33, Farmacista 33, dhe Odontoiatria 33 dhe siti-n e vizitojnë mbi 1 milion profesionistë në muaj. Edhe në Shqipëri, LIFE ka nisur publikimin e Doktor33.al dhe të Farmacist33.al të cilat u dërgojnë profesionistëve të shëndetit newsletter-at e tyre dy herë në javë. Në planet e afërta të LIFE është të nis publikimin e Stomatologji33. Gjthashtu Edra disponon ekskluzivitetin për botimin e librave të Elsevier, një ndër kolosët e botuesve të fushës së Shëndetësisë. Por ajo që na ka bërë të jemi sot këtu është pikërisht roli i teknologjisë në zhvillimin e Shëndetësisë. Kurset online, edukimi në vazhdim i profesionistëve të shëndetit është një nga prioritetet tona dhe shumë shpejt ne do të vijmë edhe me kurse online."
I ftuar në konferencë ishte e dhe zv.ministri në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit z. Arbjan Mazniku i cili u shpreh se reforma në sistemin arsimor do të finalizohet edhe me një ligj të ri për arsimin. "Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe atë Pasuniversitar sheh si bazë modelin Triple Helix: Akademi, Shtet, Iniciativë private. Konferenca të këtij lloji nxisin rritjen e cilësisë dhe sasisë së kërkimit shkencor, të cilët janë edhe tregues të performancës së sistemit arsimor por në këtë rast edhe të atij shëndetësor shqiptar", tha z. Mazniku.

Gjatë tetorit LIFE ka ndërmarrë një anketë të rëndësishme me mjëkët dhe farmacistët në Shqipëri në lidhje me nevojat e  tyre për formim dhe për informim, si dhe se cilat ishin metodat me të cilat këta profesionistë perditesojnë njohuritë profesionale.  Prof. Myftar Barbullushi paraqiti konkluzionet e marra nga anketimi i mjekëve duke sjell edhe një panoramë të gjerë të situatës së mjekësisë dhe të profesionit të mjekur në Shqipëri. "Ka mangësi të mëdha në marrëdhënien mjekë-pacientë, një vizitë mjekësore zgjat mesatarisht 8,6 minuta, kohë që nuk mjafton as për tu prezantuar me të sëmurin, dhe jo më të synohet diagnostikimi apo krijimi i empathi-së me të. Fati i të sëmurit po nëpërkëmbet. Trendi botëror i mjekësisë moderne është ti risjap  jetë kulturës dhe artit të të bërin mjekësi, komunikimit me pacientin, pasi kështu i japim forcë aleancës terapeutike, duke i rikthyer vlerën dhe rolin human, atij arti të vjetër të kthyer në shkencë", përfundoi fjalën e tij prof. Barbullushi.
Anketimin e bërë me farmacistët e pasqyroi zv. rektore e UMT, Prof. As. Suela Këlliçi e cila theksoi se rezultatet e anketës tregojnë për një realitet joproduktiv në përdorimin e internetit në shërbim të profesionit të farmacistit. "Ndonëse në Shqipëri rreth 80% e farmacistëve deklarojnë se e përdorin internetin, jo gjithnjë ai përdoret si mjet për qëllim formimi dhe promovimi. Faqet web që farmacistët disponojnë, menaxhohen dhe përditësohen nga vetë ata, pra nuk punësojnë një kompani të tretë, gjë që tregon se edhe promocioni që bëhet nuk është në bazë të profesionistëve të sektorit."
Një prezantim të shkurtër mbajti edhe Dr. Ariel Çomo, i cili si mëkëmbës i dekanes së fakultetit të Mjekësisë, Prof. Mira Rakacolli foli për rëndësinë e librit mjekësor, vështirësitë që kanë hasuar breza të tërë mjekësh, farmacistësh e stomatologësh ndër vite dhe kushtet e tanishme ku mundësitë për tu informuar janë të shumta.
Prof. As. Arian Harxhi mbajti një prezantim mbi dy produkte të Edra LSWR, Codifa dhe Medikey. Ai komentoi rëndësinë e një informuesi farmaceutik si Codifa si dhe të një komuniteti mjekësor, Medikey, që është një instrument çertifikimi që iu lejon të gjithë operatorëve shëndetësorë të regjistruar të hyjnë në faqet e rezervuara dhe të përdorin shërbimet eskluzive gjithnjë me të njëjtat kredenciale hyrëse.
Pjesa e dytë e konferencës konsistonte në një kohë bashkëbisedimi midis të ftuarve dhe pjesëmarrësve. Pyetjes se si mund të ndihmojë UMSH dhe UFSH në bërjen të aksesueshëm këta produkte të paraqitur, presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Prof. Din Abazaj tha: "Ka probleme të mëdha në komunikimin mjekë-pacient si dhe mjekë-familjarë. Përmirësimi i kësaj marrëdhënie duhet të synohet nga ne si UMSH por edhe nga vetë Ministria e Shëndetësisë pasi ne kemi dëshirën e mirë, por mungon mundësia." Ndërsa Presidenti i UFSH, Z. Arian Jaupllari në lidhje me këtë pyetje u shpreh se me unifikimin e Urdhrave profesional, roli i tyre është i mirëparcaktuar si në përmirësimin e shërbimit edhe në edukimin në vazhdim të profesionistëve.
Giorgio Albonetti, mbajti fjalën e mbylljes duke theksuar rolin e rëndësishëm të iniciativës private në përmirësimin e shëndetësisë në tërësi, duke sjell shembullin se në Itali edukimi në vazhdim është lënë në dorë të enteve të drejtuar nga profesionistë, të cilët kanë ministrinë si monitorues, por shërbimin dhe produktet i japin vetë ato. "Mbi pesëdhjetëmijë profesionistë marrin më shumë se 50 kredite në vit, vetëm nëpërmjet edukimit në distancë, e cila i ndihmon të kursejnë kohë dhe para, si dhe të marrin informacion të qëndrueshëm dhe lehtësisht të praktikueshëm në praktikën profesionale", përfundoi ai.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>