Kardiologji

sht52018

Edhe të rinjtë e shëndetshëm rrezikohen nga vdekja kardiovaskulare

Edhe të rinjtë e shëndetshëm mund të përballen me një shtim të rrezikut për vdekje të parakohshme nga sëmundjet kardiovaskulare, nëse nuk arrijnë t'i mbajnë nën kontroll vlerat e kolesterolit. Këtë e thonë rezultatet e një studimi vëzhgues, të publikuar në "Circulation".

Kërkuesit kanë shqyrtuar lidhjen që ekziston mes lipoproteinave me densitet të ulët (LDL) dhe jo me densitet të lartë (jo-HDL) dhe vdekshmërisë për shkaqe kardiovaskulare (CVD) e koronaropati (CHD), për të kuptuar sa të rrezikuar janë njerëzit që janë vlerësuar me rrezik kardiovaskular të ulët për dhjetë vjet.

"Studimi ynë tregon se pasja e një rreziku të ulët të vlerësuar për sëmundje kardiovaskulare në një periudhë 10-vjeçare, nuk e eliminon rrezikun që rrjedh nga një vlerë e lartë e kolesterolit LDL gjatë jetës", shpjegon autori kryesor i studimit, Shuaib Abdullah (Universiteti i Teksasit Jugperëndimor). Ky studim vëzhgues përfshinte 36.375 të rinj nga Studimi Longitudinal në Qendrën "Cooper", të cilët nuk vuanin nga diabeti ose sëmundjet kardiovaskulare dhe që u ndoqën për 27 vjet.

Studiuesit zbuluan se nivelet e LDL-së te këta njerëz relativisht të shëndetshëm ishin të lidhura në mënyrë të pavarur me mundësi më të mëdha për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare. Krahasuar me pjesëmarrësit që kishin vlera të LDL-së më të ulëta se 100 mg/dL, ata me nivele të LDL-së në intervalin 100-159 mg/dL rrezikoheshin 30-40% më shumë nga vdekja për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe për ata me nivele të LDL-së të barabarta ose më të larta se 160 mg/dL, kishte një rrezik në rritje prej 70-90%.

"Edhe njerëzit me rrezik të ulët, duhet të bëjnë ndërhyrje në stilin e jetës, siç është dieta dhe stërvitja, për të arritur nivelet më të ulëta të mundshme të LDL-së, mundësisht më të ulëta se 100 mg/dL. Të gjithë duhet të kufizojnë marrjen e yndyrave të ngopura, të ruajnë një peshë të shëndetshme, të ndërpresin përdorimin e duhanit dhe të shtojnë aktivitetin aerobik", përfundojnë autorët.

"Kjo analizë forcon provat në mbështetje të faktit se edhe nivelet mesatarisht të larta të një lipoproteine aterogjene, sidomos nëse janë të pranishme gjatë ndjekjes afatgjatë, lidhen me rritjen e vdekshmërisë kardiovaskulare dhe ndoshta edhe me vdekshmërinë e përgjithshme", shkruajnë në një editorial shoqërues Salim Virani dhe Christie Ballantyne (Kolegji i Mjekësisë "MD Baylor", në Hjuston, Teksas).

 

Circulation. 2018. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.118.034273
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/CIRCULATIONAHA.118.034273

Circulation. 2018. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.118.034922
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/CIRCULATIONAHA.118.034922


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>