Kardiologji

jan142021

Sëmundjet kardiometabolike. Mikrobioma intestinale e atyre që ushqehen shëndetshëm, pakëson rrezikun

Një dietë e pasur me ushqime të shëndetshme me bazë bimore është e lidhur me praninë e bollshme të mikrobeve intestinale të cilat ulin rrezikun për zhvillimin e mbipeshës, diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare, sipas një studimi të botuar në "Nature Medicine". "Punimi ynë tregon një lidhje të qartë midis specieve specifike mikrobike që gjenden në zorrë, ushqimeve të caktuara dhe rrezikut të disa sëmundjeve të zakonshme", tha Andrew Chan (Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit), autori kryesor i studimit. "Shpresojmë të jemi në gjendje të përdorim këtë informacion për t'i ndihmuar njerëzit të shmangin probleme serioze shëndetësore duke modifikuar dietën e tyre, për të përshtatur mikrobiomën intestinale", vazhdon ai.

Studiuesit mblodhën të dhëna të sekuencës së mikrobiomës, informacione të hollësishme dietike afatgjata dhe rezultate nga qindra shënues kardiometabolikë të gjakut në mbi 1,100 pjesëmarrës në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Duke analizuar të dhënat, ata vunë re se përbërja e mikrobiomave intestinale të pjesëmarrësve ishte e lidhur fort me lëndë ushqyese specifike, ushqime, grupe ushqimore dhe përbërjen e përgjithshme të dietës. Në mënyrë të veçantë, ekspertët zbuluan se pjesëmarrësit që konsumonin një dietë të pasur me ushqime të shëndetshme me bazë bimore, kishin më shumë të ngjarë të kishin nivele të larta të mikrobeve specifike të zorrëve që janë të lidhura me një rrezik më të ulët të sëmundjes.

Studiuesit gjetën gjithashtu bioshenjues të obezitetit, të sëmundjeve kardiovaskulare dhe tolerancës së reduktuar ndaj glukozës, bazuar në mikrobiomë. Për shembull, një mikrobiomë e pasur me Prevotella copri dhe Blastocystis është lidhur me një nivel të favorshëm të sheqerit në gjak pas një vakti. Speciet e tjera ishin të lidhura me nivele më të ulëta të yndyrës në gjak pas vaktit dhe me shënjues të inflamacionit. Autorët mendojnë se të dhënat e mikrobiomës së tyre mund të përdoren për të përcaktuar rrezikun e sëmundjes kardiometabolike dhe ndoshta përshkruajnë një dietë të personalizuar të krijuar posaçërisht për të përmirësuar shëndetin. "Studimi i marrëdhënieve të ndërsjella midis mikrobiomës, dietës dhe sëmundjes përfshin shumë ndryshore sepse dietat priren të personalizohen dhe mund të ndryshojnë shumë me kalimin e kohës. Dy nga pikat e forta të këtij studimi janë numri i pjesëmarrësve dhe informacioni i hollësishëm që kemi mbledhur", përfundojnë studiuesit.


Nature Medicine 2021. Doi: 10.1038/s41591-020-01183-8
https://doi.org/10.1038/s41591-020-01183-8


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>