Focus

kor232018

Zbulohet se tymi i dorës së tretë, na rrezikon edhe aty ku nuk pihet duhan

Tymi i dorës së tretë, ose mbetjet kimike të tymit të cigareve që ngjiten pas çfarëdolloj gjëje dhe pas kujtdo që gjendet në afërsi të një reje tymi, mund të ecë në ajër dhe të futet brenda ndërtesave ku duhanin nuk e pi askush. Këtë e konfirmon një studim i botuar në "Science Advances".

"Shumë zona publike kanë kufizime për pirjen e duhanit, duke përfshirë largësinë nga dyert, ndërtesa për jo duhanpirës dhe madje edhe ndalimin e duhanpirjes në kampuse për disa universitete, por këto ndalime, shpesh shërbejnë për ta mbrojtur popullsinë joduhanpirëse vetëm nga ekspozimi ndaj tymit të dorës së dytë. Studimi ynë tregon se tymi i dorës së tretë, për rrezikshmërinë e të cilit ndaj shëndetit po ndërgjegjësohemi vetëm tani, është shumë më i vështirë për t'u shmangur", shpjegon Michael Waring (Kolegji i Inxhinierisë Drexel, SHBA), autori kryesor i studimit.

Studiuesit kanë testuar ajrin e një auditori shkollor pa njerëz, ku duhani nuk ishte lejuar për dekada të tëra. Analiza e tyre tregoi se 29% e masës së aerosoleve në brendësi përmbante grimca të tymit të dorës së tretë. Sipas autorëve, edhe pse grimcat në ajër janë një pjesë e vogël e asaj që thithet me frymëmarrje, faktori shqetësues ishte përqendrimi i ndotjes.

Bazuar në llogaritjet e tyre, qëndrimi në një dhomë të ndotur nga tymi i dorës së tretë gjatë një dite pune tipike është e barasvlershme me qëndrimin në një dhomë plot me tym të dorës së dytë, për rreth pesë minuta. Meqenëse ndërtesa ishte pa tym dhe nuk kishte asnjë indikacion se dikush po e shkelte këtë politikë, kërkuesit kërkuan burime të tjera të mundshme. Ata vërtetuan se dhoma ishte në fund të një korridori me një ballkon të jashtëm ku njerëzit shpesh shkonin të pinin duhan, pavarësisht nga ndalimi.

Përveç kësaj, ajo ishte pjesë e së njëjtës zonë me ngrohjen, ventilimin dhe ajrin e kondicionuar si një hapësirë pranë zyrës që ndahej nga shumë duhanpirës. Autorët deklarojnë se grimcat e tymit të dorës së tretë, që ngjiten pas grimcave të aerosolit, mund të riaktivizohen kur bien në kontakt me amoniakun natyror të emetuar nga trupi i njeriut. Edhe temperaturat e brendshme dhe lagështia luajnë një rol në këtë proces, duke e bërë ekspozimin një problem më të madh gjatë muajve të verës.

 

Sci Adv. 2018. doi: 10.1126/sciadv.aap8368
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29750194


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>