Focus

sht122018

Obeziteti dhe duhanpirja. A shëndosh lënia e duhanit, apo është e kundërta?

Deri më sot, janë hedhur dyshime mbi faktin se ekziston një lidhje (mbi të gjitha, kontradiktore) mes obezitetit dhe duhanpirjes. Së fundi, një studim i botuar në "British Medical Journal", ka bërë një sqarim të rëndësishëm mbi këtë temë. Michele Carruba, drejtor i Qendrës së Studimeve dhe Kërkimit mbi Obezitetin në Universitetin e Milanos, ka dhënë këtë intervistë në lidhje me çështjen...

 

- Profesor Carruba, cili ishte qëllimi i këtij studimi?

- Qëllimi ishte të gjenim nëse ekziston një lidhje mes obezitetit dhe zakonit të duhanpirjes (fillimi i duhanit apo shtimi i numrit të cigareve të konsumuara, si pasojë e obezitetit). Në të kaluarën është përshkruar një lidhje e kundërt midis pirjes së duhanit dhe peshës trupore. Mendohej madje se pirja e duhanit mund të pakësojë oreksin, pasi është e vërtetë që shumë njerëz kur lënë duhanin, shëndoshen. Autorët e tjerë kanë thënë se, paradoksalisht, duhanpirësit kanë një perimetër më të gjerë të belit, domethënë se janë më obezë.
Në çdo rast, këto informacione ishin mjaft kontradiktore dhe në njëfarë mënyre mund të ndodhin për shkak të faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë si tek obeziteti, ashtu edhe te duhanpirja, të tilla si aktiviteti fizik (që ka një korrelacion të kundërt me pirjen e duhanit), një dietë e pashëndetshme ose konsumimi i alkoolit (dy elemente që lidhen pozitivisht si me obezitetin, ashtu edhe me pirjen e duhanit). Nga të gjitha këto prova mund të nxirret një mendim se disa njerëz obezë fillojnë të pinë duhan sepse mendojnë se kjo redukton konsumin e ushqimit dhe, për rrjedhojë, obezitetin. Problemi, siç u përmend, ishte se literatura nuk ishte e qartë dhe lidhjet janë zbuluar me metoda në të cilat nuk mund të përjashtoheshin faktorët turbullues.

 

- Atëherë, si është zhvilluar ky studim dhe cilat kanë qenë rezultatet e tij?

- Në këtë studim, është përdorur një sistem plotësisht i ndryshëm ose e ashtuquajtura "përzgjedhje rastësore mendeliane", një proces për të cilin autorët i janë drejtuar një banke biologjike europiane të njerëzve që ishin studiuar në profilin gjenetik, të zakoneve dhe të peshës trupore. Duhet kujtuar se ekzistojnë në literaturë një seri variantesh gjenetike (ose polimorfomizma me një nukleotid të vetëm) të lidhura me parametra të ndryshëm për të stabilizuar obezitetin dhe më saktësisht, janë të njohura 73 polimorfizma të lidhura me indeksin e masës trupore (IMT), 12 për përqindjen e shtimit të yndyrës trupore dhe 44, sipas perimetrit të belit. Ky lloj studimi nuk e ka bazën tek individët, por në bankën e të dhënave: në veçanti, janë përzgjedhur të gjithë ata që paraqisnin këto modifikime gjenetike të lidhura me tre faktorë. Duke u bazuar në këto variante gjenetike, kërkuesit kanë studiuar nëse këto subjekte pinin duhan. Ky lloj kërkimi ka avantazhin që nuk është në asnjë mënyrë i ndikueshëm nga sjellje të tjera (siç është, për shembull, dieta) dhe se është në gjendje të thotë se kjo lidhje mes obezitetit dhe duhanpirjes është efektivisht shkakore ose jo, ndryshe nga metodat e tjera të përshkruara më parë. Kështu, është vënë re se, në mjedisin e atij që ka këto modifikime gjenetike të lidhura me IMT-në ekziston një lidhje, sipas së cilës, shtimi i IMT-së shton si numrin e njerëzve që pinë duhan, ashtu edhe sasinë e cigareve që ata pinë. Gjithashtu, nëse kjo lidhje ekziston me përdorimin si të poliformizmave të lidhura me IMT-në, si të atyre të lidhura me përqindjen e dhjamit trupor, si me ato të lidhura me perimetrin e belit. Në bazë të këtyre studimeve, është bërë i mundur përcaktimi përfundimtar nëse ekziston një marrëdhënie shkakore mes duhanpirjes dhe shtimit të IMT-së apo përqindjes së dhjamit, ose perimetrit të belit, të gjitha këto, situata të lidhura me obezitetin. Prandaj, me rritjen e obezitetit, rritet edhe rreziku i fillimit të pirjes së duhanit ose i pirjes së duhanit në mënyrë më intensive (p.sh. shtimi i numrit të cigareve të konsumuara në ditë). Me këtë metodologji u zbulua se të njëjtat polimorfizma që janë të përfshira në shtimin e peshës trupore për shkak të yndyrës trupore, janë gjithashtu përgjegjëse për rritjen e predispozitës për të pirë duhan.

 

- Cilat janë, sipas jush, pikat e forta të këtij studimi dhe cila është domethënia e tij klinike?

- Studimi u krye në një popullatë mjaft të gjerë (në kuptimin që janë studiuar mbi 370,000 subjekte, pra, një numër jashtëzakonisht përfaqësues i popullsisë) dhe ka meritën, siç u përmend, për të treguar se ka një ose më shumë faktorë gjenetikë të zakonshëm si për obezitetin, ashtu edhe për dëshirën për të pirë duhan. Të rëndësishme janë gjithashtu edhe konsideratat që lidhen me ndikimin e këtyre të dhënave. Duhet të kemi parasysh se popullsia në studim ishte evropiane dhe nëse bëhet një analizë epidemiologjike, sot numri i të prekurve po rritet ndjeshëm. Deri pak kohë më parë, duhanpirja ishte në vendin e parë të faktorëve që nxisin vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë dhe obeziteti ishte në vendin e dytë. Gjërat kanë ndryshuar në vitet e fundit dhe studime të tjera kanë treguar se obeziteti është bërë një faktor shumë më i fuqishëm sesa pirja e duhanit në nxitjen e vdekshmërisë.
Me pak fjalë, obeziteti dhe duhanpirja janë dy faktorët kryesorë që nxisin vdekshmërinë dhe sëmundjet. Është e qartë dhe e dukshme se kur këta dy faktorë lidhen, rreziku shtohet dukshëm: një koncept që është shumë e rëndësishme ta kemi të qartë sepse është një tregues që duhet vënë në zbatim jo vetëm për heqjen e zakonit të duhanpirjes, por edhe për të parandaluar bashkë me të fillimin e obezitetit dhe të duhanpirjes, duke patur parasysh se kush është obez e ka më të lehtë ta nisë vesin e duhanpirjes dhe të shtojë sasinë e cigareve që pi. Bëhet fjalë për një të dhënë shumë interesante sepse këta dy faktorë mund të ndikojnë dukshëm në nivelin e shëndetit publik.

 

- Cilat janë pra, efektet e mundshme të studimit në kuptimin praktik?

- Para së gjithash, ne duhet ta heqim atë paragjykim të përhapur se kur lihet duhani, shëndoshesh më shpejt. Shumë vetë madje mendojnë se pirja e duhanit të ndihmon të biesh në peshë, ndërkohë që nuk është kështu. Të gjithë ne kemi mundësinë e krijimit të disa faktorëve të rrezikut. Ky studim tregon se predispozita për obezitetin, predispozon gjithashtu për pirjen e duhanit. Sigurisht, mund të ketë njerëz të dobët që pinë duhan, ashtu si edhe të shëndoshë që nuk pinë, por gjithsesi, ekziston një lidhje shkakore sipas së cilës, sa më shumë shëndoshesh, aq më e lehtë është të nisësh duhanin ose të shtosh konsumimin e cigareve. Ndër kuptimet e ndryshme të mundshme të këtij studimi, qëndron edhe fakti se parandalimi parësor i obezitetit favorizon edhe parandalimin e duhanit, por e përsëris se aspekti kryesor është ndërgjegjësimi se: 1) obeziteti dhe pirja e duhanit janë dy faktorët kryesorë të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë; 2) kohët e fundit obeziteti ka shkuar në vendin e parë, duke ndryshuar vendet me pirjen e duhanit; 3) bashkëjetesa e këtyre dy faktorëve është pa dyshim më e dëmshme se prania e vetëm njërit prej tyre.

 

BMJ, 2018 May 16;361:k1767. doi: 10.1136/bmj.k1767.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29769355


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>