Focus

shk142022

HIV. Identifikohet varianti i ri më i rrezikshëm në Evropë

Një studim i Universitetit të Oksfordit i publikuar në revistën Science konfirmoi shfaqjen e një varianti të ri, më virulent të virusit HIV-1 në Holandë. Ky variant është quajtur "varianti VB", pra, "nëntipi virulent B":

Varianti VB u identifikua fillimisht te 17 individë përmes projektit BEEHIVE, një studim që mbledh mostra nga e gjithë Evropa dhe Uganda. Meqenëse 15 prej tyre ishin nga Holanda, studiuesit analizuan të dhënat nga një grup prej më shumë se 6700 holandezësh pozitivë ndaj HIV-it. Kështu, ata identifikuan 92 individë të tjerë me variantin, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 109. Duke analizuar variacionin gjenetik midis mostrave, studiuesit vlerësojnë se varianti VB u shfaq për herë të parë në fund të viteve 1980 dhe 1990 në Holandë, duke pasur pikun e qarkullimit në periudhën 2000-2010.

Individët e infektuar me variantin e ri shfaqën dallime domethënëse përpara trajtimit antiretroviral, në krahasim me individët e infektuar me variante të tjera të HIV-it. Individët me variantin VB kishin një ngarkesë virale 3.5 deri në 5.5 herë më të lartë. Për më tepër, shkalla e rënies së qelizave CD4 (shenja dalluese e dëmtimit të sistemit imunitar të shkaktuar nga HIV-i) ndodhi dy herë më shpejt tek individët me variantin VB, duke i rrezikuar ata shumë më shpejt për zhvillimin e SIDA-s. Individët me variantin e ri shfaqën gjithashtu një rrezik në rritje të kalimit të virusit te të tjerët. Varianti VB karakterizohet nga shumë mutacione të shpërndara në të gjithë gjenomin, që do të thotë se në këtë fazë nuk është e mundur të identifikohet një shkak i vetëm gjenetik i rrezikshmërisë së tij.

Autorët theksojnë se njerëzit me variantin BV shfaqën karakteristika tipike krahasuar me të tjerët që jetojnë me të gjitha variantet e tjera të HIV-it, përfshirë moshën, gjininë dhe mënyrën e dyshuar të transmetimit. Kjo tregon se transmetueshmëria rritet më shumë për shkak të një vetie të vetë virusit, sesa të një karakteristike të njerëzve me virus.

Megjithatë, u vu re se, pas trajtimeve farmakologjike, individët me variantin VB kishin rikuperim dhe mbijetesë imune të ngjashme me ata me variante të tjera të HIV-it. Por, theksojnë studiuesit, duke pasur parasysh rënien më të shpejtë të sistemit imunitar, kjo e bën të domosdoshme që individët të diagnostikohen herët dhe të fillojnë trajtimin sa më shpejt të jetë e mundur.

Profesori Christophe Fraser në Universitetin e Oksfordit dhe Departamentin e Mjekësisë Nuffield, autor i studimit, shtoi: "Gjetjet tona nënvizojnë rëndësinë e udhëzimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që njerëzit në rrezik për t'u infektuar me HIV duhet të kenë akses në teste të rregullta, për të mundësuar diagnozën e hershme, ndjekur nga trajtimi i menjëhershëm. Kjo kufizon kohën kur HIV-i mund të dëmtojë sistemin imunitar dhe të rrezikojë shëndetin. Ai gjithashtu siguron që HIV-i do të shtypet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke parandaluar transmetimin tek individët e tjerë.".


Burimi:
https://www.science.org/doi/10.1126/science.abk1688


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>