Gjinekologji

nën42022

Obeziteti shton rrezikun për tromboembolizëm venoz te gratë. Ja, në cilat raste

Gratë obeze që marrin pilula kontraceptive me bazë progesteroni dhe estrogjeni kanë një rrezik shumë më të lartë për tromboembolizëm venoz (TEV) në krahasim me gratë jo obeze që nuk e marrin këtë lloj mjekimi. Në këtë përfundim ka arritur një rishikim i botuar në ESC Heart Failure, në të cilin autorët, përveç se kanë mbledhur prova shkencore mbi efektet e kontraceptivëve dhe obezitetit në rrezikun e grave për TEV, japin edhe disa rekomandime.

"Gratë obeze që marrin kontraceptivë janë të prekshme ndaj TEV-it dhe duhet të marrin masa për të kufizuar faktorët e tjerë predispozues për sëmundjet kardiovaskulare, për shembull duke lënë duhanin dhe duke shtuar nivelet e aktivitetit fizik", tha autori kryesor i studimit Giuseppe Rosano nga spitali IRCCS San Raffaele Pisana në Romë.

Dihet se ndërsa kontraceptivët që përmbajnë vetëm progesteron nuk shoqërohen me rrezikun për TEV, kontraceptivët oralë të kombinuar (progesteron dhe estrogjen) çojnë në një rrezik 3 deri në 7 herë më të lartë për TEV te gratë që i marrin krahasuar me ato që nuk i përdorin.  

Nga ana tjetër, rreziku i TEV-it rritet me indeksin e masës trupore dhe gratë obeze janë dy herë më shumë të  rrezikuara se ato jo obeze. Rosano thekson se rreziku i TEV-it është veçanërisht i lartë te gratë nën 40 vjeç, gjë e cila është shqetësuese pasi shumë gra marrin kontraceptivë në atë moshë. Te gratë obeze nën 40 vjeç, rreziku i TEV-it është 5 herë më i lartë se te gratë jo obeze.

Për më tepër, kontraceptivët oralë të kombinuar dhe mbipesha vazhdojnë të jenë faktorë rreziku për gratë. Një studim i mëparshëm ka treguar se nëse mbipesha dhe obeziteti shoqërohen me një rrezik respektivisht 1.7 dhe 2.4 herë më të lartë për TEV, te përdorueset e këtij medikamenti rreziku ishte 12 dhe 24 herë më i lartë, krahasuar me gratë me peshë normale që nuk i merrnin këto barna.

"Dihet se si obeziteti ashtu edhe kontraceptivët që përmbajnë estrogjen janë faktorë rreziku për TEV-in. Pavarësisht kësaj, gratë obeze vazhdojnë t'i marrin këto barna. Provat shkencore tregojnë se obeziteti dhe kontraceptivët oralë të kombinuar kanë një efekt sinergjik në rrezikun e TEV-it dhe kjo duhet të merret parasysh në vendimet e përshkrimit. Te gratë mbipeshë, produktet vetëm me progestogjen, duke përfshirë pilulat, pajisjet intrauterine ose implantet, janë një alternativë më e sigurt për pilulën e kombinuar", përfundon Rosano.

 

ESC Heart Fail 2022. Doi: 10.1002/ehf2.14104.
https://www.doi.org/10.1002/ehf2.14104


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>