Mjekësi e përgjithshme

nën282017

Dhimbja e shpatullës, trajtimi kirurgjikal mund të mos jetë zgjidhja për sindromën e konfliktit subakromial

Sipas një studimi të publikuar në "Lancet", kirurgjia e dekompresionit nuk e redukton dhimbjen në shpatull më shumë sesa një ndërhyrje me placebo te personat që vuajnë nga sindroma e konfliktit subakromial në shpatull (impingement syndrome). "Për dhimbjen subakromiale në shpatull, opsionet e trajtimit përfshijnë dekompresionin subakromial, një nga ndërhyrjet kirurgjikale që përdoren zakonisht në ortopedi. Në Britani numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është rritur nga 2.523 në vitin 2000 në 21.355 në 2010-n", shprehet David J. Beard nga Universiteti i Oxford-it, i cili ka bashkëpunuar me grupin studimor. Studimi ka përfshirë 32 spitale dhe 51 kirurgë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Pjesëmarrësit që vuanin nga dhimbja në shpatull të paktën prej 3 muajsh, pavarësisht fizioterapisë dhe injeksioneve të steroideve, u ndanë në mënyrë rastësore për t'iu nënshtruar kirurgjisë së dekompresionit, kirurgjisë placebo apo asnjë trajtimi, duke shtuar disa seanca fizioterapie vetëm për ata që operoheshin. Gjashtë dhe 12 muaj pas përfshirjes në studim pacientët kanë plotësuar pyetësorët për të vlerësuar simptomat, duke përfshirë dhe dhimbjen.
Në përgjithësi simptomat ishin zvogëluar në të tria grupet nga fillimi i studimit. Pas 6 muajsh personat që kishin kryer ndërhyrjen e dekompresionit dhe ata që kishin marrë një ndërhyrje placebo, vlerësuan se dhimbja dhe funksionet e tyre ishin në një nivel të ngjashëm, pa diferenca statistikore. Kishte një ndryshim të vogël mes atyre që kishin kryer operacionin dhe atyre që kishin mbetur pa terapi, por kjo mund t'i atribuohej efektit placebo ose fizioterapisë dhe pushimit të përshkruar pas operacionit. "Rezultatet tona vënë në diskutim vlerën e kirurgjisë së dekompresionit të shpatullës për këtë grup pacientësh, prandaj duhet t'u komunikohen pacientëve dhe mjekëve që marrin në konsideratë këtë lloj kirurgjie. Sipas rezultateve tona mund të konsiderohen metoda të tjera për të trajtuar konfliktin subakromial të shpatullës, si barnat kundër dhimbjes, fizioterapia dhe injeksionet e steroideve", shpjegon Beard për shtypin. "Rezultatet dërgojnë një mesazh të fortë për ata që dëshirojnë të mbrojnë zgjedhjen që artroskopia e shpatullës është më efikase sesa ndërhyrjet jo kirurgjikale", shprehet në një koment shoqërues Berend Schreurs nga Radbound University Medical Center në Holandë.


The Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)32457-1 http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)32457-1/fulltext

The Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)32874-X http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)32874-X/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>