Mjekësi e përgjithshme

tet182019

Infertiliteti dhe kanceri i prostatës. Dalin prova që tregojnë lidhjen mes tyre

Burrat që janë bërë baballarë përmes teknikave të riprodhimit të asistuar, duket se rrezikohen më shumë për zhvillim të kancerit të prostatës, edhe me fillim të hershëm, sesa burrat që e arrijnë atësinë në mënyrë natyrale. Ky është rezultati i një studimi të botuar në "British Medical Journal".

"Meqenëse kanceri i prostatës dhe shumë forma të infertilitetit janë të lidhura me hormonin seksual mashkullor, një lidhje e mundshme ishte studiuar tashmë disa kohë më parë, por studimet e kryera deri më tani nuk ishin aq të forta sa për ta qartësuar këtë çështje", thotë Yahia Al-Jebari (Universiteti Lund i Malmoes në Suedi), emri kryesor i studimit. Studiuesit nisën analizën duke përdorur të dhëna nga mbi një milion fëmijë të lindur të gjallë në Suedi gjatë periudhës 1994-2014. Mes baballarëve u identifikuan 20.618 (1.7%) individë që kryen fertilizimin in vitro (IVF), 14.882 (1.3%) përmes injektimit të spermës (ICSI) dhe 1,145.990 (97%) përmes konceptimit natyror. Autorët më pas kontrolluan regjistrat e tumorit për të identifikuar raste të reja të kancerit të prostatës deri në 20 vjet pas lindjes.

Pasi u përshtatën sipas faktorëve të tillë si mosha dhe niveli i arsimimit, studiuesit zbuluan se burrat që ishin bërë baballarë me IVF dhe ICSI, kishin një rrezik dukshëm më të lartë për kancer të prostatës sesa burrat që konceptonin fëmijë në mënyrë natyrale. Për më tepër, rreziku i kancerit të prostatës i diagnostikuar para moshës 55-vjeçare ishte veçanërisht i lartë për burrat që kishin fëmijë përmes ICSI-së, që zakonisht përdoret në format më të rënda të infertilitetit.
"Burrat që e kanë arritur atësinë përmes teknikave të riprodhimit të asistuar, veçanërisht përmes ICSI-së, mund të përfitojnë nga shqyrtimi i hershëm dhe monitorimi afatgjatë për kancerin e prostatës", përfundojnë autorët. Aditi Sharma, nga Imperial College dhe Channa Jayasena, nga Spitali Hammersmith dhe Imperial College Healthcare, Londër, thonë në një editorial se megjithëse ende nuk është e qartë se si infertiliteti i mashkullit mund të lidhet biologjikisht me rrezikun e karcinomës së prostatës, ekziston mundësia që disa anomali të kromozomit Y të jenë të lidhura si me sterilitetin, ashtu edhe me kancerin e prostatës. Sidoqoftë, ata argumentojnë se një kontroll i kancerit të prostatës te të gjithë burrat jo-pjellorë është i diskutueshëm, për shkak të përfitimeve të dobëta të mbijetesës dhe dëmtimeve që mund të rezultojnë prej saj.


BMJ. 2019. doi: 10.1136/bmj.l5214
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31554611

BMJ. 2019. doi: 10.1136/bmj.l5525
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31554620


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>